Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pse po e shmang Uran Ismali pikën e tij më të dobët?

Pse po e shmang Uran Ismali pikën e tij më të dobët?

Shkruan: Afrim Kasolli

Në disa paraqitje publike kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Komunës së Prishtinës, është zotuar se nëse nuk i përmbush 90 për qind të premtimeve të tij elektorale, ai nuk do të rikandidoj edhe për një mandat tjetër për të njëjtën pozitë. Madje, sipas tij edhe ky rikandidim ka ardhur si kërkesë e drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Sa është i saktë ky pretendim mbetet të shihet me 12 tetor. Megjithatë, kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë deri më tani e ka shmangur dhe heshtur një temë krejtësisht tjetër, atë që nëse dështon edhe në këto zgjedhje, a do të tërhiqej nga pozitat aktuale partiake si shenjë e përgjegjësisë dhe moralit politik? Praktikë kjo që aplikohet në çdo vend demokratik kur kandidat të caktuar pas disa dështimeve serike i hapin rrugë të tjerëve për t’i prirë betejave politike dhe nuk i mbajnë të monopolizuara njëkohësisht disa pozicione.

Si duket Uran Ismali ka të dhëna nga organizatat që merren me hulumtimin e opinionit publik që nuk gjasa të jetë as pjesë e balotazhit, prandaj po refuzon të marr përgjegjësi për atë që duhet ta demonstronte që në fillim. Madje këto mbase janë arsyet që i njëjti e ka degraduar një standard që e kishte promovuar vetë para katër viteve, kur si kandidat i PDK për pozitën e kryetarit të Komunës së Prishtinës, kishte dhënë dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës, si shenjë e dedikimit dhe përkushtimit për betejën e parë.

Sidoqoftë, pikërisht refuzimi për t’u ballafaquar me këtë skenar flet shumë mbi atë se çka ai së bashku me klanin e tij e përfaqësojnë politikisht. Se pavarësisht dështimeve të jashtme partiake, atyre u takojnë përfitimet e brendshme. Në këtë kontekst, kjo qasje dëshmon se Uran Ismnali, do të mbetet po ai që ka qenë dhe se do ta vazhdojë të njëjtin model të sjelljes politike që kemi pasur rastin ta shohim deri me tani. Ku ai shfaqet si politikan episodik nën dritën e menaxhimit ditor të interesave private. Dhe së ne vend të përgjegjësisë për humbjen udhëhiqet nga kalkulimi për pazaret politike në fazën e balotazhit.

Kuptohet, kjo taktikë mund t’i krijojë atij dhe shokëve të tij mundësi për përfitime personale, por si e tillë vazhdon ta shndërrojë vullnetin politikë partiak në paterice të partive tjera, si dhe e minon degën e PDK-së në Prishtinë që të shndërrohet në një forcë për transformimin e kryeqytetit. /TV Arbëria