Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse partitë populiste kanë më shumë shanse për t’i rifituar zgjedhjet se sa oponentët e tyre?

Pse partitë populiste kanë më shumë shanse për t’i rifituar zgjedhjet se sa oponentët e tyre?

Shkruan: Afrim Kasolli

Shpeshherë është thënë se fitorja e një partie populiste është vetëm një episod kalimtar politik ku me te marr pushtetin një herë ajo do të konsumohet dhe do t’i ketë shanset minimale për ta rifituar atë. Ngase njerëzit do ta shohin se “poezia e saj opozitare” do demantohet nga “proza e pushtetit”, prandaj edhe do ta ndëshkojnë për premtimet e thyera dhe të pa mbajtura. Kështu, qytetarët do të presin më padurim që t’u jepet rasti për ta ndëshkuar atë.

Ky supozim bazohet më shumë në pretendimet “antro-politike” se votuesi është qenie racionale, i cili duke u nisur nga kalkulimi personal e ndëshkon atë që nuk është dobi të tij. Mirëpo, të dhënat dhe hulumtimet e opinionit publik pikërisht e kanë treguar të kundërtën. Ngase sikur njerëzit të votonin vetëm nga konsiderata ekonomike, vështirë që parti të tilla do të fitonin. Le të marrim vetëm shembullin partive të djathta ekstreme në shumë shtete evropiane. Ato shumicën e kohës i kanë targetuar emigrantët si problemin kryesor të shoqërive të tyre. Edhe pse të gjitha të dhënat dëshmojnë se kjo kategori ka një rol krucial edhe në mirëmbajtjen ekonomike të këtyre shteteve. Mirëpo, janë edhe temat emocionale, etnike dhe kulturore, që e ushqejnë identitetin politik të publikut.

Në këtë kontekst, autoret Manuel Funke, Christoph Trebesch, and Moritz Schularick, në shkrimin “Populism’s Broken Economic Promises -How Countries With Populist Leaders Get Left Behind”, kanë argumentuar se vendet që një herë janë qeverisur nga populistët kanë shanse më të mëdha parti më me orientim të tillë të rikthehen në pushtet.

Një nga arsyet se pse populismi shndërrohet në fenemon ciklik më shumë se rastësor, është fakti se liderët e kësaj rryme janë më të qëndrueshëm politikisht, se sa oponentët e tyre. Le ti marrim vetëm disa shembuj, sikur se Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, Presidenti i Republikës Turke, Rexhep Taip Erdoan, por pse jo edhe kandidati aktual për president të Partisë Republikane në SHBA ish-presidenti Donald Trump. Pra thjesht ata rrallë zhduken shpejt. Si dhe bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i rritur mundësitë për ta ruajtur pushtetin, qoftë përmes polarizimit, përshtatjes së sistemit zgjedhor sipas nevojave të tyre apo intimidimit të sistemit gjyqësor dhe opozitës.

Po ashtu, vazhdojnë këta autorë, “populistët qëndrojnë në pushtet për një mesatare prej gjashtë vjetësh, në krahasim me tre vjet nga jo-populistët. Ata kanë shumë më shumë mundësi të rivotohen, me një probabilitet prej 36 përqind, krahasuar me vetëm 16 përqind për jo-populistët, një diferencë e cila mund të shpjegohet nga popullariteti i tyre si dhe aftësia e tyre për t’u mbrojtur nga mekanizmat e demokracisë”.

Le të marrim vetëm shembullin e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, një milioner që u shfaq në skenën politike të atij vendi si anti-establishment, pas shumë skandaleve korruptive që e pushtuan vendin në fillim viteve ‘9O të shekullit të kaluar. Është e vërtetë se ai u largua nga pushteti në vitin 2011, por vetëm pasi e qeverisi atë më shumë se çdo kryeministër tjetër në historinë e pasluftës së Italisë. Ndërkohë, politika e atij shteti mbetët thellësisht e formuar nga imazhi i tij. Pjesa më madhe e pasardhëseve të tij qenë populistë duke përfshirë edhe kryeministren aktuale, Giorgia Meloni, e cila fushatën e saj anti-emigrante dhe anti-BE e bazoi në masë të madhe në strategjitë populiste.

Këto të dhëna mund të hedhin dritë edhe për zhvillimet në Kosovë. Ndonëse, çdo rregull ka përjashtim, megjithatë ato tregojnë se Albin Kurti, si një lider tipik populist, i ka shanset me solide që të ketë jetë më të gjatë politike se oponentët e tij, po ashtu se ai ka mundësi me serioze për t’i rifituar zgjedhjet dhe se do ta mbaj pushtetin me gjatë se të tjerët, si dhe zëvendësimi i tij mund të behët vetëm nga dikush që është më afër imazhit të tij politik dhe publik. /TV Arbëria

Powered by WordPress