Shkruan: Afrim Kasolli
Në fjalimin e tij lamtumirës, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ndër të tjera foli edhe për rrezikun që po i kanoset demokracisë amerikane nga një shtresë gjithnjë e me pasur, duke bërë kështu që pushteti real të uzurpohet në grupe të mbyllura oligarkike. “Jam i shqetësuar për rënien e rrezikshme të pushtetit në duart e ca njerëzve të pasur”, tha Biden. Për më shumë, përqendrimi i pasurisë në duart e pak vetave, nuk e kërcënon vetëm demokracinë, por edhe të drejtat dhe liritë themelore, si dhe pritjet se çdo njeri meriton një “mundësi të barabartë” për të arritur sukses, shtoi ndër të tjera presidenti më i vjetër në historinë e këtij shteti.
Pa dyshim shumëkujt mund t’i shkojë ndërmend se ky fjalim ishte i orientuar kundër administratës Trump, e cila do marr pushtetin me 20 janar. Sepse në kuadër të saj thuajse ndodhen disa nga njerëzit me të pasur, jo vetëm të Amerikës, por edhe të planetit. Këtu është fjala, si për vetë presidentin Trump, edhe shefin e Teslas dhe SpaceX, Elon Musk. Ky i fundit, , i shpenzoi dhjetëra miliona dollarë për ta ndihmuar fushatën presidenciale të Trumpit vitin e kaluar dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e tij. Por pjesë e kësaj ceremonie po pritet të jenë edhe themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, dhe bashkëthemeluesi i Facebookut dhe shefi i Metas, Mark Zuckerberg.
Mirëpo, kushdo që ka ndjekur dinamikat e brendshme politike në Partinë Demokratike të cilat rezultuan me largimin e presidentit Biden nga gara presidenciale si dhe zëvendësimin e tij nga Kamala Harris do ta shohë me qartë se pse ai është më shumë i frustruar me tjetërsimin e partisë së tij në një strukturë që ka rënë në dorë të shtresave oligarkike, sese me republikanët. Është e vërtetë se tatëpjeta e tij politike filloi nga dështimi gjatë debatit televiziv me kandidatin Donald Trump.
Mirëpo, përkundër kësaj performance jo të duhur, presidenti Biden, ngulmonte se nuk do ta përfillte kërkesën për tërheqje. Se do ta vazhdonte betejën në mbrojtje të demokracisë amerikane. Madje në Samitin e NATOS-së të mbajtur në Uashington, ai i zotua për ta vazhduar thellimin bashkëpunimit transatlantik dhe mbështetjen për Ukrainën, gjatë mandatit të tij. Duke u shfaqur kështu si një lider nën drejtimin e të cilit, Amerika do ta vazhdojë misionin e saj planetar.
Por, papritmas, çdo gjë u përmbys nga arsyetimi publik se “tërheqja nga gara është në interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht”. Dhe se i njëjti i ofron mbështetje të plotë, zëvendëses së tij Kamala Harris në këtë betejë.
Ndërkohë, gjatë këtij harku kohor nuk është se kishte pasur një kërkesë masive nga baza anëtarësisë partiake ndaj Bidenit për t’u tërhequr nga kjo garë. Shumica e senatorëve demokratë në këtë institucion, po ashtu edhe përfaqësuesit në Kongres, nga kjo parti nuk ishin kundër Joe Bidenit. As ata nga Komiteti Kombëtar Demokrat.
Se presidenti Biden do të detyrohej të largohej përkundër vullnetit të tij e kishte paralajmëruar Robert Reich në shkrim “Only one group can actually persuade Biden to exit the race: his rich donors”. Sipas, profesorit të politikave publike në “Universitetin e Kalifornisë, Berkeley”, vetëm elita e pasur e partisë mund ta detyronte atë që të vepronte kundër vendosmërisë së tij dhe pa miratimin e shumicës së demokratëve. Dhe është ky grup i mbyllur ndaj të cilit, presidenti Biden u shpreh me tone të zemëruara. I quajti elitat e pasura të partisë dhe nuk i intereson se çfarë mendojnë milionerët.
Sidoqoftë, pa kaluar shumë kohë, ai e kuptoi se nuk ka shanse të ketë sukses, nëse e humb mbështetjen e të parëve. Dhe ky dështim ka demonstruar më mirë se asgjë tjetër, “atë që dihet prej kohësh se fuqia e vërtetë politike në SHBA, pavarësisht nga partia qëndron në duart e parave të mëdha”. Por po ashtu, ky realitet ka dëshmuar për tensionet që ekzistojnë ndërmjet demokracisë si shprehje e vullnetit politik të bazës dhe grupeve të mbyllura financiare.
Pra është kjo përvojë e hidhur pikërisht brenda partisë së tij, ndaj së cilës presidentit Biden, u shpreh me kumte të errëta për të ardhmen e demokracisë amerikane edhe njëherë para se të largohet nga pozita me e rëndësishme politike në atë shtet. /TV Arbëria