Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse opozita është ashtu sikur pushteti pro shtrenjtimit të energjisë elektrike?

Pse opozita është ashtu sikur pushteti pro shtrenjtimit të energjisë elektrike?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka ditë që zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë( ZRRE), ka propozuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për rreth 15% prej muajin e ardhshëm. Kjo kërkesë është bërë me pretendimin se tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë,KOST, KEDS dhe KESCO, po detyrohen të importojnë rrymë me kosto të larta në tregun ndërkombëtar. Ngase sipas tyre, kompania kryesore e prodhimit të energjisë KEK, ka dështuar t’i realizojë planifikimet e prodhimit. Për më shumë rregullatori i energjisë ka paralajmëruar se që nga 1 qershori i këtij viti kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, sepse nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara. Ato do të detyrohen që të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg. Këto plane kanë shkaktuar reagime të shumta në vend.

Njohës të kësaj sferë kanë paralajmëruar kumte ogurzeza për pasojat ekonomike që mund të ketë ky skenar. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një prononcim për Evropën e Lirë, ka pohuar se ky vendim do të ketë kosto të tmerrshme për bisnezet, sepse “shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”. I zëshëm kundër këtij vendimi ka qenë edhe analisti Shenoll Muharremi. Në një sërë postimesh në rrjetin tij social facebook, ai ka ofruar të dhëna statistikore mbi dëmet ekonomike të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, sipas ZRRE megjithatë Kosova e ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon. Këto pohime konfirmohen edhe nga Eurostati. Aktualisht vetëm Gjeorgjia dhe Republika e Turqisë kanë çmime me të lira. Mirëpo, ky pretendim i ZRRE është cinik. Sepse në raste të tilla nuk mjafton të përdoret vetëm vlera nominale e çmimit për produktin në fjalë, por edhe në çfarë raporte qëndron me fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës. Dhe siç dihet këta të fundit e kanë pagën mesatare më ulët në rajon e të mos flasim me ato të Bashkimit Evropian. Bie fjala, Korab Rashiti, deputet shqiptar ne Kantonin e Bernit, ka treguar se si një familje mesatare në Kosovë duhet të shpenzojë 14.9 për qind të pagës për 1000 kw energjisë, kurse në Zvicër për të njëjtën sasi vetëm 2.94 për qind. Prandaj, analiza e bazuar në shumë variabla tregon se realisht qytetarët e Kosovës e paguajnë çmimin më të lartë të rrymës në rajon dhe Evropë.

Ndaj rritjes së paralajmëruar të çmimit të rrymës kanë reaguar edhe partitë opozitare. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami, ka argumentuar mbi efektet zingjirore ekonomike të këtij vendimi. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Partia Demokratike të Kosovës. Deputeti i këtij subjekti politik Ferat Shala, nëpërmjet një konference për shtyp, është ankuar se “Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët” Por i njëjti nuk ka harruar të shtojë se “PDK nuk është kundër reformave dhe zhvillimit të tregut të energjisë, por ato duhet të ndodhin në kushte të drejta dhe transparente, ku interesi i qytetarëve dhe bizneseve vendore të jetë prioritet”. Kurse deri më tani pushteti ka qenë i heshtur në raport me këtë shqetësim. Mbase heshtja e tij fletë shumë. Sepse tregon hapur se nuk e kundërshton rritjen e çmimit të energjisë.

Por edhe “protesta” e opozitës në rrjete sociale e në konferenca, është në sinkron me heshtjen e pushtetit. Për më tepër , kjo mënyrë e “kundërshtimit” tregon se edhe kjo e fundit është brenda të njëjtit koncept politik që e bënë rritjen e rrymës të “pashmangshme “. Sepse partitë opozitare nuk janë aty për të treguar për pasojat ekonomike të këtij vendimi. Atë po e bënë shumë më mirë analisti Shenoll Muharremi, në mënyrë të vazhdueshme.

Të parat janë për të prodhuar aksion politik kundër këtij vendimi. E jo ankesa individuale. Prandaj, kjo qasje e tyre, tregon se edhe ato janë brenda së njëjtës skemë të operimit që nuk kanë guxim politik për të propozuar ide radikale se si duhet të dilet nga kjo situatë. Dhe këtu nuk duhet trajtuar si sinonime nocionin radikal me ekstrem. Për më shumë, në këtë rast Qeveria aktuale vetëm sa e ka introjktuar të njëjtën retorike që dikur e kanë përdorur partitë nga opozita sa kanë qenë në pushtet. Pohimet se “ZRRE dhe bordi i saj janë të pavarura dhe s’mund të ndikohen nga qeveria në marrjen e vendimeve të tyre” janë slogane politike që qytetarët e Kosovës kanë pasur rastin t’i dëgjojnë nga çdo pushtet. Kjo ka bërë që dizajnimi dhe themelimi trupave administrativë teknokratikë jashtë çdo kontrolli demokratik sot të shndërrohet në trashëgimi të çdo partie politike. E, të parat vendimet për rritje apo mosrritje të çmimit nuk i marrin nga shqetësimet ekonomike demokratike të qytetarëve të Kosovës, sepse ato nuk kanë përgjegjësi ndaj tyre, por në favor të interesave ekonomike të kompanive që e menaxhojnë këtë sektor.

Që këto padrejtësi të tejkalohen opozita duhet të ofrojë alternativë se do ta korrigjojë edhe këtë arkitekturë. Madje, duke mos e përjashtuar as skenarin e rishikimit e të rishqyrtimet shtetëror të kompanive të privatizuara që merren me distribumin e rrymës. Sepse për aq kohë sa partitë opozitare janë pro këtij modeli, por vetëm artikulojnë qëndrime kundër shtrenjtimit aktual të rrymës, në fakt ato janë brenda së njëjtës skeme që nuk mund ta parandalojë këtë fundit. Kjo edhe është arsyeja që qytetarët e Kosovës janë të braktisur politikisht në raport me përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike që do ta prodhojë ky shtrenjtim i rrymës. Mbetet të shihet se a do të mund ta ndryshojnë këtë gjendje thirrjet spontane për protesta me sloganin “asnjë cent më shumë”. Mirëpo, as këto të fundit pa i adresuar defektet e sipër cekura strukturore s’paraqesin zgjidhje afatgjatë për këtë problem.

Çdo mllef momental pa projekt politik nuk garanton sukses. Ngase janë politikat ekonomike të deri tanishme që janë ndjekur në Kosovë, sipas të cilave tregu është arbitër përfundimtar dhe vetë rregullator magjik për çdo gjë, që është burim edhe kësaj që po ndodh me çmimin e rrymës elektrike. Ku çdo entitet e ka preokupim vetëm interesin imediat, pa marrë parasysh koston sociale.