Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pse një luftë e gjatë do të ishte fatale për Rusinë?

Pse një luftë e gjatë do të ishte fatale për Rusinë?

Shkruan Agron Hoti:
E kemi thënë disa herë, që ishte pikërisht kostoja e madhe e luftës në Afganistan ajo që e kishte përshpejtuar rënien e Bashkimit Sovjetik dhe vetë komunizmit. 10 vite luftë në Afganistan kishin dërmuar Bashkimin Sovjetik dhe e kishin çranguar nga superfuqia siç ishte BRSS në fuqi rajonale siç është Rusia sot.

 

Meqë Rusia pjesën më të madhe të resurseve kombëtare e shpenzon në siguri, siç në fakt bën edhe Irani, sepse është vetë madhësia gjeografike që ia imponon shpenzimet e mëdha në siguri për t’i ruajtur kufijtë më të gjatë në botë që ka pasur ndonjëherë një shtet, atëherë kjo flet më së miri për rënien graduale të këtij vendi nga skena botërore, ngase përqendrimi i resurseve kryesore kombëtare në siguri shkon pashmangshëm në dëm të zhvillimit ekonomik.

Lufta në Ukrainë vetëm sa do ta përshpejtojë rënien e Rusisë nga një fuqi rajonale siç është sot në një shtet pa peshë në zhvillimet ndërkombëtare siç do të jetë nesër. Prandaj, sa më e gjatë që të jetë lufta, aq më shumë do të dobësohet ekonomikisht dhe pse jo edhe politikisht Rusia.

Për ta parë se pse Rusia do të jetë humbësja më e madhe në luftën e Ukrainës, do të paraqiten të dhëna mbi buxhetet vjetore dhe shpenzimet e mbrojtjes të SHBA-së, BE-së, Kinës dhe Rusisë për vitin 2024.

SHBA dhe BE (vendet e saj) kanë buxhete vjetore mbi 12 trilionë dollarë në vit (SHBA 6.5 trilionë dollarë, vendet e BE-së të marra së bashku mbi 5.5 trilionë dollarë), ndërsa shpenzimet e mbrojtjes të marra së bashku i kanë 1.3 trilionë dollarë në vit (SHBA = 874 miliardë dollarë, kurse vendet e BE-së 470 miliardë dollarë) .

Ndërsa, Rusia dhe Kina të marra së bashku kanë afro 4 trilionë dollarë buxhete vjetore (Kina = 3.4 trilionë dollarë, kurse Rusia = 415 miliardë dollarë), kurse shpenzimet e mbrojtjes i kanë së bashku afro 400 miliardë dollarë (Kina = 231 miliardë dollarë, kurse Rusia mbi 160 miliardë dollarë).

Kurse Rusia si e vetme ka buxhet vjetor për vitin 2024 në vlerë prej 415 miliardë dollarë, ndërsa shpenzimet e mbrojtjes i ka rritur nga afro 60 miliardë dollarë sa i kishte para luftës në Ukrainë, në mbi 160 miliardë dollarë për vitin 2024.

Pra, mbi 1/3 e buxhetit vjetor të Rusisë do të shkojë për shpenzime ushtarake. Vetë fakti që Rusia do të detyrohet të shpenzojë mbi 1/3 e buxhetit vjetor për shpenzime ushtarake, tregon më së miri se sa e lartë dhe e papërballueshme do të jetë për të një luftë e gjatë në Ukrainë. Ishte pikërisht kostoja e lartë ajo që e zbythi Rusinë t’i ndihmonte vitin e kaluar ushtarakisht Armenisë, kur kjo e fundit e humbi rajonin e Nagorno Karabahut që shtrihej në Azerbajxhanin e mbështetur nga Perëndimi dhe Turqia.

Kur kësaj i shtojmë edhe rënien drastike të importit të energjisë ruse nga vendet e BE-së nga mbi 13 miliardë dollarë në muaj sa ishte në fillim të vitit 2022, në vetëm 1 miliardë dollarë në fund të vitit 2023, atëherë e shohim se nga afro 200 miliardë dollarë sa eksportonte Rusia energji në BE në fillim të vitit 2022, tani eksporton vetëm 12 miliardë dollarë në vit. Pra, i bie që Rusia për çdo vit lufte në Ukrainë do të humbasë nga së paku 180 miliardë dollarë në vit, gati sa 1/3 e buxhetit vjetor.

Nëse lufta në Ukrainë do të zgjaste p.sh. 10 vite (sa ka zgjatur në Afganistan) pra nga viti 2022-2032, atëherë Rusia për çdo vit do të duhej ta shpenzonte 1/3 e buxhetit vjetor për ushtri dhe për çdo vit do të humbiste nga eksporti i energjisë në BE nga së paku 180 miliardë dollarë në vit (1/3 e buxhetit vjetor).

Dhe tash paramendoni një vend që djeg në luftë çdo vit nga së paku 160 miliardë dollarë dhe që humb nga së paku 180 miliardë në vit nga reduktimi i eksportit të energjisë, të cilat në total bëjnë 320 miliardë dollarë në vit, se sa shumë do të goditet ekonomikisht kur ka një buxhet vjetor vetëm plus minues 400 miliardë dollarë.

E rënia e eksportit të energjisë ruse në BE do të jetë goditja më e madhe për Rusinë, sepse ishte pikërisht eksporti i energjisë ajo arteria kryesore financiare e aparatit shtetëror të Putinit ashtu sikurse që ishte edhe arma kryesore e Putinit për ta përçarë BE-në dhe Ballkanin dhe për ta rritur antiamerikanizmin në përmasa të frikshme diçka që po e përjetojmë drejtëpërsëdrejti edhe në Kosovë.

E nëse lufta në Ukrainë do të zgjaste 20 vite (sa ka zgjatur në Vietnam) pra nga 2022-2042, ku Rusia do të humbiste për çdo vit nga 320 miliardë dollarë, atëherë rënia e Rusisë nga një fuqi rajonale sot në një shtet pa peshë nesër do të jetë e pashmangshme.

Do të jetë pastaj pikërisht kjo rënie e pashmangshme e Rusisë që do ta shtronte nevojën për ta rikonfiguruar përbërjen e Këshillit të Sigurimit dhe pse jo vetë rendin ndërkombëtar duke e hequr kështu Rusinë nga Këshilli i Sigurimit dhe duke futur shtete tjera si p.sh. Japonia, India, Brazili, Gjermania, Indonezia, etj.

/TV Arbëria

Themes by WordPress