Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pse nga viti 2020–2026 asnjë aktivitet serioz shkencor për Çlirimtarët në Hagë?!

Pse nga viti 2020–2026 asnjë aktivitet serioz shkencor për Çlirimtarët në Hagë?!

SHKRUAN: AGRON HOTI

Si është e mundur që ata që sot flasin më së shumti, që paraqiten si “të afërt” me Krerët e UÇK-së në Hagë, nuk kanë organizuar as edhe një tryezë të vetme shkencore politike e juridike në Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Shkup apo në diasporë?! Asnjë forum serioz ku të përballeshin argumente, ku të merrnin pjesë ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ku të sfidohej, qoftë edhe në planin akademik e publicistik, rrëfimi i Gjykatës Speciale.

Askush nuk pretendon se me disa konferenca e forume do të liroheshin të akuzuarit. Por opinioni ndërkombëtar nuk ndikohet me heshtje. Ndikohet me argument, me studime, me raporte, me dokumente të mirë-strukturuara që qarkullojnë në universitete, institute kërkimore dhe media serioze. Në vend të kësaj, kemi parë vetëm zhurmë në rrjete sociale dhe retorikë boshe.
Pas çdo tryeze të rrumbullakët apo diçka të ngjashme do të mund të dilnin raporte shkencore politike e juridike, të cilat do të prezantoheshin në media dhe organizata ndërkombëtare, duke krijuar një efekt shumëzues te elitat akademike dhe formuesit e opinionit. Presioni ndaj Gjykatës Speciale do të ishte ndërtuar mbi argumente, jo mbi emocione. Por kjo nuk u bë.

Një çështje kombëtare si mbajtja në paraburgim e ish-Krerëve të UÇK-së nuk trajtohet me postime patriotike dhe fotografi rrjetesh sociale. Nuk opinionalizohet me “like” dhe komente. Nëse për gjashtë vite nuk është organizuar asnjë debat serioz, asnjë analizë e mirëfilltë juridike, asnjë platformë akademike ndërkombëtare, atëherë problemi nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e vullnetit, e guximit intelektual dhe e përgjegjësisë publike.

Heshtja sistematike dhe mosveprimi nuk janë as neutralitet. Janë dorëzim i heshtur. Dhe në sfond, dëgjohet një nëntekst i rrezikshëm: “mjafton që ne s’jemi aty”.