Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë nga shumë analistë ndërkombëtarë, se njëri nga qëllimet strategjike të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Natanjahu, mbetet edhe qërimi përfundimtar hesapeve me Iranin. Për këtë arsye edhe i pari i Qeverisë së Izraelit, deri më tani i ka shmangur ofertat diplomatike të dizajnuara nga ShBA-të, Katari dhe Egjiptit për armëpushim me Hamasin me qëllim ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës. Pjesë e kësaj pakoje ishte plani për lirimin e pengjeve që ishin kidnapuar në sulmin terrorist të 7 tetorit. Madje edhe ky shtet është përballuar me protesta masive nga familjaret e tyre duke kërkuar pranimin e marrëveshjes për lirimin e tyre.
Mirëpo, Bibi Natanjahu, siç edhe quhet ndryshe si njëri nga liderët politik më veteran në vend, ia doli që t’i shmang këto presione. Përkundrazi, ai i zgjeroi qëllimet strategjike të luftës, ku krahas shkatërrimit dhe çrrënjosjes së Hamasit, mbetet edhe sigurimi i kufijve veriorë të vendit nga sulmet e Hezbollahut dhe më këtë krijimi i një balance të re gjeopolitike të pushtetit në Lindje të Mesme.
Praktikisht, kjo nuk nënkupton asgjë tjetër, pos konfrontim me Iranin si njërin nga shtetet kryesore mbështetëse të Hezbollahut, milicive shite në Irak si dhe grupit rebel Huthi në Jemen. Forcat ushtarake të Izraelit, deri më tani kanë qenë në konfrontim të vazhdueshëm më këto grupe, që e formojë rrjetën e Aksit të Rezistencës, si pjesë e strategjisë së regjimit teokratik të Iranit për ta projektuar fuqinë e tij në regjion. Prandaj, edhe sipas Tel Avivit siguria afatgjatë e Izraelit nuk mund të jetë kurrë e qëndrueshme, për aq kohë se beteja nuk zhvillohet me kokën e oktabotit, por vetëm me degët e tij.
Dhe ky skenar është bërë më i mundshëm se kurrë me parë, pas sulmeve të djeshme të Iranit me raketa ballisitike kundër Izrealit. Një sulm i tillë kishte ndodhur edhe në muajin prill, si shenjë hakmarrje pas sulmit të Izraelit në një mision diplomatik të Teheranit në Siri, ku mbetën të vrarë shtatë ushtarakë të lartë iranianë. Irani e pat konsideruar këtë sulm si dhunim të integritetit territorial shtetëror, duke marrë parasysh faktin se misionet diplomatike kanë status “ekstra-territorial”. Atëbotë, në mbrojtje të hapësirës ajrore të Izraelit u angazhuan edhe shtetet perëndimore në krye me SHBA-të, si dhe ato rajonale sikur Jordania. Sipas mediave perëndimore, Presidenti Biden, i ka kundërshtuar kategorisht planet e kryeministrit Benjamin Netanjahum për kundër-sulm ndaj Iranit.
Sidoqoftë, tani duket se situata është krejt ndryshe. Kryeministri i Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se “Irani ka bërë një gabim të madh dhe do të paguajë për të”. Mirëpo, ai në ndërkohë ka deklaruar edhe diçka tjetër që është simptomatike për orientimin e tij politik dhe strategjik. Gjatë një paraqitje publike, pohoi se “populli i Iranit duhet ta kuptojë se Izraeli nuk është kundër tyre dhe se shumë shpejt ata do të jenë të lirë. Çfarë nënkupton se ndryshimi i regjimit në atë shtet mbetet objektivi i tij themelor, diçka që i ngjason retorikës së ish-presidentit Bush sa i përket intervenimit në Irak.
Në këtë kontekst, ka pak gjasa që tashmë ai t’i dëgjojë rekomandime diplomatike për tërheqje, ashtu sikur se i ka refuzuar deri më tani disa nisma diplomatike për armëpushim. Aq më tepër, që tashme atë shtet e ndajnë dhe pak ditë nga zgjedhjet presidenciale dhe është e paqartë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Ndërkohë, fakti se dy herë brenda mandatit të presidentit Biden, Irani i ka kaluar vijat e kuqe duke sulmuar drejtpërdrejt Izraelin do t’i komplikojë tej mase shanset e Kamala Harrist, kandidates demokrate kundër ish-presidentit, Donald Trump.
Ndërkohë, si synim tjetër i Izraelit padyshim se mbetet përfshirja e Amerikës në këtë luftë. Ngase ky shtet është i vetëdijshëm që konfrontimi me Iranin, të vetmin shtet jo arab në atë rajon, me trashëgimi imperiale shekullore, kërkon tjetër mobilizim. Dhe çdo luftë Izrael-Iran do ta vendostë në një pozicion pa shtegdalje Uashingtonin. Ngase ky i fundit as nuk mund të tërhiqet, por as të lë të vetmuar aleatin e tij më të madh në Lindje të Mesme.
Mirëpo, një skenar i tillë do të kishte pasoja serioze si për Iranin ashtu edhe për SHBA-të. Është e kuptueshme që regjimi në Tehran nuk ka kapacitete politike dhe ushtarake për ta përballuar konfrontimin ushtarak me SHBA-në. Dhe Irani në fund do të dilte i humbur nga skenar. Mirëpo, ajo do të ishte një luftë e gjatë, rraskapitëse dhe me pasoja tragjike, jo vetëm për rajonin por mbarë botën. Sepse është fjala për një hapësirë që është burimi kryesor i energjisë për ekonominë globale. Po ashtu koncentrimi i SHBA-ve në këtë pjesë të botës do t’ia linte duart e lira Putinit ne Ukrainë. Ngase ka qenë e ditur që nga fillimi se rezistenca e këtij shteti, as që ka mundur të imagjinohet pa mbështetjen teknike, ushtarake dhe financiare të SHBA-ve. Mirëpo, lufta me Iranin do ta dekoncentronte angazhimin amerikan kundër Putinit. Ndërkohë është iluzore tw supozohet se lideri rus do të ndalet në këtë rast vetëm me gjunjëzimin e Ukrainës. Cak i tij i ardhshëm do të jenë republikat baltike si dhe sigurimi i një kanali tokësor me qytetin e Kalingradit për të siguruar dalje në ujërat e detit verior.
Në anën tjetër duke e shfrytëzuar këtë shans edhe Kina do të tundohej për ta finalizuar qëllimin e saj të kahershëm për integrimin e ishullit të Tajvanit në kuadër të sistemit të saj shtetëror. Ky zhvillim do të shkaktonte një tërmet politik në Azi-Paqësor. Sepse vende si Koreja e Jugut, Japonia dhe Filipinet do të ishin cak i synimeve hegjemonike të Pekinit në atë botë. E të mos flasim për implikimet ekonomike që do të kishte ndryshimi i balancave gjeopolitike ne atë rajon.
Përfundimisht, rendi ndërkombëtar që jemi mësuar të jetojmë deri më tani në epiqendër të të cilit kanë qenë SHBA-të duke e mirëmbajtur me aleancat e tij të shumëfishta, do të futej në një proces dekompozimi ta pashmangshëm dhe me pasoja të paparashikueshme. Në ,një rast presidenti Biden, pat deklaruar se kryeministri izraelit Beniamin Natanjahu, ndër të tjera është duke i refuzuar ofertat për armëpushim, ngase në sprovë është edhe karriera e tij politike. A ka gjasa që ambicia e një lideri për ta shpëtuar vetën të shndërrohet në katalizator të kaosit global? /TV Arbëria