Shkruan: Afrim Kasolli
Se Izraeli do të hakmerret ndaj Iranit për sulmin e këtij të fundit me raketa balistike me 1 tetor, thuajse askush nuk e vë më në dyshim. Pak pas këtij ataku, vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kishte deklaruar se mbetet parim i këtij shteti se kush e sulmon atë, ai do t’i kundërpërgjigjet. Për më shumë, pas zgjerimit të fronteve të luftës në Liban, kundër Hezbollahut, një organizatë kjo e mbështetur nga Teherani, ai ka deklaruar se tashmë kemi hyrë në një fazë të ndryshimeve gjeopolitike në Iran. Si dhe duke e siguruar popullin e Iranit, se shumë shpejt do të jenë të lirë nga kasta teokratike në fuqi. Pra një mesazh ky, që tregon se ndryshimi i regjimit në atë shtet mbetet njëri nga synimet strategjike të Izraelit. Kurse, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se sulmi i Izraelit kundër Iranit do të jetë “vdekjeprurës, i saktë dhe befasues”.
Sipas mediave ndërkombëtare tashmë edhe plani i sulmit është gati. Vetëm pritet çasti i ekzekutimit të tij. Mirëpo, po ashtu sipas këtyre burimeve, kryeministri izraelit e ka siguruar presidentin Binden, se do ta marrë në konsideratë rekomandimin e tij, se në këtë fazë Ushtria Mbrojtëse Izraelite do të përmbahet nga sulmi ndaj programi bërthamor të Iranit si dhe ndaj rafinerive të naftës. Madje, thuhet se edhe disa nga shtetet arabe në Lindjen e Mesme kanë ushtruar presion mbi Uashingtonin për ta frenuar Izraelin nga sulmi ndaj rafinerive të naftës, pasi që janë të shqetësuar se edhe uzinat e tyre të naftës mund të vihen në shënjestër nga Teherani, nëse konflikti përshkallëzohet. Ndërkohë, sa i përket këtij skenari e shqetësime ka shprehur edhe administrata amerikane. Sepse bie fjala, vetëm nëse çmimet e naftës rriten në 120 dollarë për fuçi, kjo do të dëmtonte si ekonominë amerikane ashtu edhe shanset e Harris në zgjedhje. Prandaj, presidenti Biden e ka jetike shmangien e këtij përshkallëzimi.
Mirëpo, nëse Izraeli në këtë fazë ka vendosur t’u përmbahet këshillave amerikane duke e përjashtuar atakun hakmarrës mbi programet bërthamore, ndonëse reduktimi këtyre kapaciteteve mbetet objektiv jetik për ta garantuar sigurinë afatgjatë , apo edhe mos sulmimin e uzinave të naftës, i cili do të dëmtonte në masë të madhe resurset financiare të regjimit të fuqi, sepse siç dihet mbi 50 përqind e ekonomisë së atij shteti kontrollohet nga Garda Revolucionare Iraniane, (nga shqetësimi mbi implikimet ekonomike globale që mund të kishte ky akt), por në të njëjtën kohë mëton që me këtë sulm ta destabilizojë regjimin në fuqi, si parakusht për përmbysjen e tij, atëherë është e mundur që Tel Avivi ta përdor atë metodë që dinë më së miri ta bëjë eliminim e figurave kryesore politike, duke mos e përjashtuar as Liderin Suprem të Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei.
Këtë qasje autoritetet e Izraelit e kanë përdorur në vazhdimësi kundër grupeve të tij armiqësore. Seria e atentateve politikë të kësaj natyre është e gjatë, duke kujtuar vetëm rastet e fundit të eliminimit të Sekretarit Gjeneral të Hezbollahut Hasan Nasrallah, pasuesit të tij, Hashem Safieddine, e deri tek drejtori i Buros Politike të Hamasit, pikërisht në qendër tw Teheranit, Ismail Haniyeh. Dhe një akt i tillë do të ishte në koherencë me strategjinë e Tel Avivit për ta goditur kokën e regjimit në Iran, me rënien e të cilit shpresohet se mund ndalohet edhe radikalizmi dhe zhvillimi i mëtejmë i programit bërthamor. /TV Arbëria