Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse kufizimi deri në tri herë për kandidatin për Kryetar të Kuvendit është demokratik?

Pse kufizimi deri në tri herë për kandidatin për Kryetar të Kuvendit është demokratik?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Që nga publikimi i njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me rastin KO193/25 dhe KO196/25, për “Vendimin e Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025”, njëra ndër çështjet më kontestuese ishte thirrja e këtij aktgjykimi për “përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

 

Pa humbur kohë, Lëvizja Vetëvendosje e sulmoi këtë konstatim.  Eksponentët e saj e quajtën atë si uzurpim i kompetencave të Kuvendit nga ana e Gjykatës Kushtetuese si dhe si rishkrim i normave të kushtetuese, nga institucioni që ka për obligim vetëm t’i interpretojë literalisht ato që gjenden të brendashkruara në këtë aktin më të lartë juridik dhe politik të një shteti.

 

Ndërkohë, me rastin e publikimit të vendimit të plotë, Gjykata ka dhënë edhe shpjegimin se nga cilat premisa është nisur për një konkluzion të tillë. Për këtë institucion  ““Kufizimi në 3 (tre) raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse. Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L019 për Avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses”

 

Nuk ka dyshim se ky rast do të shërbejë në të ardhmen për diskutime juridike. Megjithatë, konceptualisht përtej këtyre disputeve profesionale,  ai e ruan frymën e parimeve demokratike dhe tenton që ta shmang që kjo e fundit të mos bllokohet për qëllime partiake, nën emrin e përfaqësimit të përgjithshëm politik.

 

Përtej nuancave që i karakterizojnë në këtë rrafsh ekziston dy modele se si përfaqësohet populli. E para e cila ka orgjinë që nga doktrina jakobiniste, sipas së cilës një segment shoqëror  e përkufizon vetën si reprezentuesi i vetëm i vullnetit të tij politik dhe se të gjithë të tjerët duhet t’u subordinohen këtij segmenti. Prandaj nuk është e rastësishme, që sociologu i njohur Jean-Ëerner Muller, në traktatin e tij politik” Ç’është Populizmi? (What Is Populism?), pohon se edhe sot ekziston një përkitje e çuditshme ndërmjet populizmit dhe doktrinës politike jakobiniste. Kurse, William Galston konstaton se ngjashëm edhe populzimin e karakterizon revolta kundër pluralizmit (Anti-Pluralism: The Populist Threat to Liberal Democracy). Apo, siç thotë Jurgen Habermas, sa herë që populli shfaqet politikisht, ai s’mund të shfaqet ndryshe, pos si “kategori plurale”. Dhe e dyta kjo që siç e kanë cekur filozofët e sipër cekur, që populli në jetën politike nuk mund të ketë manifestim tjetër pos në formë heterogjene.

 

Me këtë rast, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese duke e kufizuar deri në tri herë kandidatin për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve nuk bënë asgjë tjetër vetëm se e runa frymwn plurale të demokracisë. Sepse kërkon nga kjo e fundit që me anë të kompromisit dhe bashkëpunimit së bashku me tw deleguarit e tjerë të popullit t’i sigurojë numrat për ta materializuar atë të drejtë, ashtu siç është manifestuar ai në zgjedhjet e fundit parlamentare. E jo ta shndërrojë atë në mekanizëm bllokues të Kuvendit si institucioni i vetëm i drejtpërdrejt përfaqësues  i sovranit, duke hapur rrugën e vakumit institucional, ngase kjo praktikë do të ishte pikërisht shtrembërim arbitrar i të parit.