Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse kryeministri Kurti i sulmoi sot ish kryeministrin Thaçi dhe Mustafa?

Pse kryeministri Kurti i sulmoi sot ish kryeministrin Thaçi dhe Mustafa?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Sa më shumë që shtohet presioni mbi kryeministrin Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, aq më tepër do të kërkojë fajtorë kujdestar për këtë dështim. Do të mundohet që ta justifikojë lëshimin e radhës me trashëgiminë e së kaluarës. Ashtu siç pat bërë edhe me rastin e njërës prej kauzave tjetër politike, atë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit. Premtimin e tij, se nuk do ta lejonte zbatimin e vendimeve të kohës së Miloshevicit e braktisi me një lehtësi të padurueshme, me arsyetimin se ishte një vendim i domosdoshëm edhe pse jo i drejtë. Kurse, krye kuvendari, Glauk Konjufca, të njëjtin vendim e quajti si një përkushtim dhe vendosmëri të shtetit të Kosovës për sundim të ligjit dhe përkushtim për zbatim të vendimeve të gjyqësorit.

 

 

E njëjta logjikë e karakterizon edhe sot postimin e tij me rastin e 11 vjetorit të Marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Thaçi e Daçiq, me anë të së cilës ishte paraparë themelimi i Asociacionit, si dhe marrëveshjen tjetër të parimeve të përgjithshme për këtë entitet të nënshkruar në vitin 2015, nga kryeministri Kosovës Isa Mustafa dhe Aleksandër  Vuçiq.

 

 

I ballafaquar me një presion të madh të vendeve të Quintit për ta dërguar së paku draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të (mos)anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, tashmë kryeministrit Kurti, po i duhet një arsyetim i ri para militantëve të tij, se pse po e tradhton kauzën kryesore politike mbi të cilën ka ardhur në pushtet; atë të pengimit të themelimit të Asociacionit. Ky fat e ka vendosur atë ndërmjet dy zotimeve dhe betimeve të ndryshme që ka bërë.

 

Fillimisht para elektoratit të brendshëm, se nuk do ta lejojë një gjë të tillë si dhe premtimeve ndaj burrështetaseve perëndimorë, çfarë e kishte konfirmuar edhe kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, pas përfundimit të takimit të samitit të BE në tetor të vitit të kaluar, si dhe letra e fundit përgjëruese ndaj Dora Bokojanis, se do ta themelojë Asociacionin. I ndodhur ndërmjet këtyre dy presioneve, ai tashmë shpëtimin ka filluar ta kërkojë te vet-menaxhimi në dallim nga Asociacioni.

 

 

Kurse për t’i hedhur pluhur syve opinionit tashmë po thotë se kjo temë të mos ndahet nga Marrëveshja bazike, sepse një seperacion i tillë qenka interes i Serbisë.  E nëse e marrim të mirëqene këtë konstatim të Kryeministrit, atëherë ai askujt nuk i shkon më shumë për shtati se sa vetë Kurtit. Sepse është pajtuar, me tekstin e Marrëveshjes Bazë, përkatësisht, nenin 10 të saj i cili thotë se “palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”.  Kurse në aneksin e kësaj marrëveshje të dakorduar në Ohër, është pajtuar që për të “zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së” .

 

Këto nene tregojnë qartë se pasi Albin Kurti, e ka nxjerr disa herë nga Marrëveshja Asociacionin si çështje urgjente para diplomatëve ndërkombëtar, tash kërkon ta fus brenda saj përsëri para mbështetëseve të tij. Pasi kjo nuk është e mundur, atëherë rruga me lehtë është shfajësimi në trashëgimin e së kaluarës.

 

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress