Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pse Kosova mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës pa e themeluar Asociacionin?

Pse Kosova mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës pa e themeluar Asociacionin?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka kohë që është bërë e qartë se fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit para anëtarësimit final të Kosovës në Këshill të Evropës është shndërruar në një kërkesë të hapur diplomatike, sidomos nga shtetet e QUINT-it.

 

Pas vendimit të Qeverisë për Agjencionin Kadastral të Kosovës, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, obligimi për ta zbatuar Asociacionin u përmend në mënyrë të parë hapur nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriell Escobar, në një intervistë për REL. Sipas diplomatit amerikan, procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të vjetër të kontinentit nuk mund të bëhet pa plotësimin e këtij kushti dhe atij për shpronësimet në veri. Një qëndrim i tillë pak a shumë u shndërrua në një “sekret publik” .

 

Mirëpo, edhe përkundër këtij qëndrim kushtëzues ndaj shtetit të Kosovës, përsëri në seancën e mbajtur me 16 prill, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, votuan pro raportit që e rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.  Dhe autorja e këtij raporti Dora Bakoyannis, deklaroi  se këtë e ka “konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, u shpreh se kjo ka qenë një gurthemel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës dhe se ajo mund te jetë një lloji “angazhimi pas anëtarësimit”. Kështu, tashmë ky proces kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të mblidhen në muajin maj, për të vendosur përfundimisht në për fatin e Kosovës.

 

Rrjedhimisht, në tavolinën e këtij trupi vendimmarrës ndodhen dy kërkesa kontradiktore. Fillimisht raporti  i Asamblesë Parlamentare i cili rekomandon se themelimi i Asociacionit  mund të konsiderohet si një lloj “angazhimi pas anëtarësimit”, dhe kërkesa eksplicite e disa prej shteteve kryesore të bashkësisë ndërkombëtare, që të paktën dërgimi i draft statutit në Gjykatë Kushtetuese të behet para votimit në muajin maj. Natyrisht, pa përjashtuar këtu as zotimin dhe betimin e krerëve shtetërorë të Kosovës, se do ta themelojnë këtë entitet. Mirëpo, që në një intervistë në Kanal 10, natën e votimit nga Asambleja Parlamentare, kryeministri Kurti, tregoi qartë se është duke kalkuluar që ta zvarrit sa më shumë këtë obligim.

Ndërkohë, se shanset e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë trup kanë qenë të mëdha në këtë kohë, ka qenë e ditur që nga fillimi edhe për shkak të një ndryshimi të madh gjeopolitik që ka ndodhur me rastin e përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë. Kosova ka pasur jo pak telashe me Këshillin e Evropës në të kaluarën, pikërisht për shkak ndikimit të Moskës në kuadër të saj, duke sponsorizuar raportin e Dick Marty-it, për shkak të cilit u themelua edhe Gjykata Speciale, ku po hetohen përfaqësuesit kryesorë të UÇK-së. Prandaj, nuk ka dyshim, se mungesa e Rusisë do të kthehej në favor të aspiratave të Kosovës.

 

Mirëpo, që Kosova mund të pranohet edhe pa fillimin e proceduarës për themelimin e Asociacionit nuk përjashtohet si mundësi, edhe përkundër kërkesës eksplicite të QUINT-it. Siç dihet, Këshilli i Evropës është një organizatë që ka për detyrë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, dhe vlerat e demokracive perëndimore. Përfituesit më të mëdhenj nga ky proces do të ishin qytetarët e Kosovës, sepse do të përfitonin mekanizma shtesë juridike pan-evropian në mbrojte të të drejtave njerëzore. Kurse, siç ka treguar sondazhi  i fundit rajonal për Ballkanin Perëndimor i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Kosova, por pa përjashtuar as Shqipërinë, mbesin vendet më pro amerikane dhe në përgjithësi më pro perëndimore në dallim nga Rusia dhe Mali i Zi që janë tërësisht pro ruse. Prandaj, mos anëtarësimi i shtetit të Kosovës në këtë entitet që demokracinë dhe vlerat perëndimore i konsideron si mision sublim do të ishte nju goditje edhe për aspiratat e qytetarëve të Kosovës, sidomos në këtë kohë kur ato po sulmohen  nga Rusia në mënyrë brutale. Ky fakt mund ta vendos në një pozicion pa “shtegdalje” edhe QUINT-in,  përkundër dallimeve diplomatike me Qeverinë e Kosovës, duke e detyruar që për hir të popullit të Kosovës të bëjë edhe një lëshim.

 

Ndërkohë, kjo kthesë mund të  përdoret si kauzë elektorale nga Albin Kurti në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato. Në këtë mënyrë, ai do eksploatojë këtë temë si dikush që duke i “rezistuar” Asociacionit ia ka dalur që ta anëtarësojë Kosovën në Këshill të Evropës. Pardokeset e historisë shpeshherë dinë të jenë të tilla???

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress