Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Kosova do të jetë më e varfër ekonomikisht më e dobët politikisht dhe më e pak e rëndësishme gjeopolitikisht?

Pse Kosova do të jetë më e varfër ekonomikisht më e dobët politikisht dhe më e pak e rëndësishme gjeopolitikisht?

Shkruan: Afrim Kasolli

Është bërë e zakonshme këto vitet e fundit që sa herë që publikohen të dhënat mbi lumturinë në nivel botëror, Kosova të prijë sa i përket nivelit të lumturisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu vendi ynë renditet i 29 në listën e shteteve më të lumtura në botë në nivel botëror. Një trend i tillë ndër vite i ka shoqëruar qytetarët e Kosovës edhe sa i përket nivelit të optimizmit. Matjet e mëhershme kanë treguar se shoqëria jonë kishte dëshmuar disa herë doza më të larta të optimizmit në raport me shoqëritë tjera nw rajon

Megjithatë, të dhënat statistikore nuk japin bazë të qëndrueshme për këtë nivel të lartë të lumturisë dhe optimizmit. Me këtë rast vlen të ceket veçanërisht raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi “Parashikimin e Popullsisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2025-2060”. Ky raport flet kryesisht për trende të përgjithshme negative në sferat kryesore vitale shoqërore. Kështu, sipas projeksioneve të këtij studimi, popullsia e vendit, nga 1.6 milion banore sa i kishte në vitin 2024, “ajo pritet të bjerë në 1.01 milion deri në fund të vitit 2060. Kjo tkurrje do të shënonte një rënie prej afërisht 37 për qind”. Njw humbje e tillw do të kushtëzohet kryesisht nga dy faktorë kryesorë, e para nga migrimi dhe e dyta bilanci negativ natyror. Ndërkohë sa i përket shkakut të dytë, raporti konstaton se “norma totale e fertilitetit supozohet të bjerë nga 1.92 lindje të gjalla për grua në vitin 2024 në rreth 1.3 deri në vitin 2060. Meqenëse numri i grave në moshë riprodhuese (15–49 vjeç) gjithashtu pritet të zvogëlohet, numri vjetor i lindjeve të gjalla pritet të bjerë nga rreth 21.5 mijë në vitin 2024 në më pak se 7 mijë në vitin 2060”.

Sidoqoftë, implikimet kryesore të kësaj rënie pa dyshim se do të manifestohen ne jetën ekonomike. Me këtë rast, popullsia në moshë pune do të tkurret dukshëm, pra struktura e moshës 15–64 vjeç pritet të bjerë nga rreth 1.08 milion në vitin bazë 2024 në rreth 580 mijë deri në vitin 2060. Kjo tkurrje do të ngushtojë ofertën e fuqisë punëtore vendore dhe do të dobësojë bazën demografike që mbështet sistemet pensionale, sigurimet shëndetësore dhe sistemet e tjera të mbrojtjes sociale”.

Natyrisht, ndër sferat më të cenueshme të këtij zhvillimi negativ do të jetë edhe mbrojta si dhe siguria. Sepse vendi ynë do të ketë më pak ushtarë. Pra nëse është dashur një përpjekje e jashtëzakonshme historike për ta fituar të drejtën për ta pasur ushtri, gjatë dekadave të ardhshme, pesha e saj do të reduktohet për shkak të këtij trendi demografik. Për më shumë ky bilanc e bënë të padobishëm vendin tonë edhe në aspektin gjeopolitik. Sepse një vend me popullsi të moshuar, pa aftësi për konkurruese ekonomike nuk do të jetë i dobishëm madje as për aleatët e tanishëm në radhë të parë Shtetet të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst duket shkalla e sipër cekur e lumturisë dhe optimizmit që vazhdon t’i shoqërojë qytetarët e Kosovës sot e kësaj dite është shndërruar në një lloj opiumi për ta maskuar të ardhmen gri që e pret vendin tonë.