Shkruan: Afrim Kasolli
Vizita e befasishme e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në rajon dhe në Kosovë dhe takimi i tij edhe me kryeministrin Kurti, krahas presidentes Osmani dhe shefit të AKI-së, Petrit Ajeti, mund të merret si shenjë e deiozlimit ndërkombëtar të shefit të Qeverisë së Kosovës. Sepse ky i fundit ka kohë që është i privuar nga takimet e niveleve të larta ndërshtetërore më zyrtarë të rëndësishëm perëndimorë. Këtë e dëshmon edhe vizita e fundit në SHBA në konventën e Partisë Demokratike, ku roli i tij politik ishte gati identik me atë Alush Gashit, tashmë të harruar politikisht dhe Bernarn Nikajt, pa ndonjë peshë politike.
Ndonëse, arsyet dhe qëllimet e kësaj vizite nuk mund të dihen asnjëherë plotësisht për publikun, për shkak të natyrës si të misionit të kësaj vizite ashtu dhe të organizatës që e përfaqëson William Burns, megjithatë nuk mund te mohohet fakti se ajo po ndodh në një kohë trazuar gjeopolitike, kur paralelisht me ndryshimin e dinamikës së luftës ndëmrjet Ukrainës dhe Rusisë, janë shtuar tensionet edhe në rajon, për shkak të aspiratave secensioniste të Republikës Serbe në Bosnje, të cilin Uashingtoni e kundërshton hapur, si garantues i Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe tensioneve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe shteteve të QUINT-it si dhe Misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë, për shkak të planeve të pushtetit për ta hapur urën mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, edhe për qarkullim të automjeteve.
Vendet aleate e kane kundërshtuar njëzëri këtë nismë, duke e konsideruar jo të duhur në këtë kohë, që i kontribuon shtimit të tensioneve si dhe rrezikon jetën e trupave të NATO-së. Më i zëshmi në këtë drejtim ka qenë Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.
Ndërkohë, fillimisht zyrtarë të pushtetit në Kosovë, ishin kategorisht kundër shtyrjes së ceremonisë së këtij akti final . Ministra të kabinetit qeveritar, deputetë etj, defilonin ne këtë pistë të re të modës publike. Teprica e minatorëve në raport me xehet e pakta nën tokësore, e shndërroi këtë urë në një minierë të re ari, për përftime politike. I madh e i vogël, pohonin se bashkësia ndërkombëtare nuk ka të drejtë në këtë kundërshtim. Se hapja e saj është punë e kryer. Mjafton të bëhet testimi teknik i saj. Dhe me në fund ndarja mbi 25 vjeçare e këtij qyteti ikonik të Kosovës do të marr fund. E deri tek vlerësimet se Ambasadorit amerikan i takon vetëm vendi në ambasadë, dhe jo të prononcohet për urat e Kosovës. Ndonëse, ditët e fundit ky entuziazëm është zbehur. Në vend të besimit se hapja e saj është punë e kryer po zënë vend interpretimet se nuk dihet data e saktë kur ajo do të hapet.
Në këtë drejtim, Shefi i CIA-s, nuk kishte si të mos takohej edhe me kryeministrin Kurti, sepse ky i fundit është mbartës i pushtetit real në Kosovë dhe jo presidentja Osamani. Ai i orienton disponimin publik dhe politikat shtetërore. Ajo është vetëm përfaqësuese formale e politikës së jashtme, por jo vendimmarrëse politike. Prandaj mesazhi se çfarë kursi duhet të ndjek Kosova duhej shfaqur ne adresën e duhur. Në mënyrë që ajo t’i shmang me çdo kusht, aventurat politike që do t’i shërbenin në këtë rast skenarëve të Putinit për të krijuar konflikte të reja në vatra të tjera të nxehta gjeopolitike, në mënyrë që ta zhvendos vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë, që është duke ju rikthyer bumerang brenda shtetit rus./ArbëriaTv/