Shkruan Afrim Kasolli
Prej rënies të regjimit brutal të Bashar al-Assadit në Siri, nuk kanë munguar analizat ndërkombëtare se kush ishte fitues dhe humbës nga ndryshimi i befasishëm që ndodhi në këtë vend. Sundimi mbi 50 vjeçar i kësaj dinastie familjare u shemb brenda dy jave si një kullë prej letre, përkundër faktit se kundër regjimit në fjalë rezistenca kishte filluar që në vitin 2011, në valën e “Pranverës Arabe”.
Kjo kthesë ndodhi në një kohë kur thuajse nuk e priste askush. Dhe kur vëmendja ndërkombëtare ishte fokusuar kryesisht në dy kriza tjera, sikur se pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia si dhe lufta e Izraelit në rripin e Gazës kundër Hamasit si dhe Hezbollahut në Liban. Kriza këto që e lanë sundimin Assadit pa mbështetjen e dy prej aleatëve të tij ndërkombëtarë. Dhe janë këto zhvillime që u shfrytëzuan nga aktorë tjerë për të përftuar nga situata në terren.
Më këtë, rast si humbës kryesorë janë veçuar Irani dhe Rusia, në rastin e parë për shkak se u demolua Aksi i Rezistencës, për projektim të hegjemonisë rajonale të Tehranit, kurse në rastin e dytë u vu në pah tkurrja e peshës ndërkombëtare të Rusisë përkundër luftës në Ukrainë, kurse si fituese kryesore është përmendur Republika e Turqisë, edhe pse ajo së bashku me dy shtetet e mësipërme ishte pjesë e procesit negociator të Astanës, në kërkim të një zgjidhje politike për atë konflikt të pa përfunduar.
Mirëpo, si duket presidenti Rexhep Tayip Erdogan i frustruar nga refuzimi i ish-diktatorit sirian për të marrë në konsideratë interesat e tij, i dha dritën e gjelbër kryengritëseve, kryesisht grupit islamist, Hayat Tahrir al-Sham dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane që të fillojnë “revolucionin e vonuar”. Dhe nga ky zhvillim Ankaraja zyrtare mëton t’i realizojë synimet saj gjeopolitike.
E para në këtë shtet deri më tani janë të strehuar mbi 3.2 milionë refugjatë sirianë dhe ata paraqesin një presion të jashtëzakonshëm për Republikën Turke. Nuk ka dilemë se është interes primar i saj rikthimi sa më i shpejtë i tyre në vendin nga kanë ikur. Por përtej kësaj, nga rënia e Assadit, Turqia pretendon ta avancoje agjendën e saj gjeopolitike veçanërisht duke e kufizuar potencialin e Forcave Demokratike të Sirisë e cila dominohet nga pjesëtarët e komuniteti kurd. Këtë grup Ankaraja zyrtare e konsideron si kërcënim për sigurinë e saj nacionale pasi e vlerëson si zgjatim të Partisë Punëtore të Kurdistanit. Prandaj, është kundër pozicionit thuajse autonom që territori prej 25 për qind e gëzon në administrimin tyre. Se çfarë raporte do të ketë ndemjet grupit islamist, Hayat Tahrir dhe SDF mbetet të shihet. Ndërkohë, këtu duhet pasur parasysh faktin SDF, me mbështetjen amerikane ka qenë forca kryesore në terren në luftë kundër ISIS që atëbotë pat lulëzuar në Siri. Mbetjet e këtij grupi ekstremist islamist janë ende aktive.
Madje, hiq më larg se dje, SHB-të përsëri i kanë bombarduar disa vatra të tyre, me qëllim që të transmetohet mesazhi se Uashingtoni nuk do ta lejojë ringjalljen ISIS për shkak të vakumit që aktualisht dominon në Siri. Kurse, sipas The Associated Press (AP), janë më shumë se 10.000 luftëtarë të kësaj organizate që paraqet rrezik për sigurinë globale, të cilët po mbahen në burgjet e kontrolluara në Forcat Demokratike të Sirisë. Dhe çdo presion mbi ketë fundit ka rrezik që pjesëtarët e asaj organizate famëkeqe më nuk do të mund të mbahen te kontrolluar. Kjo do t’i hapte rrugë përsëri lulëzimit të terrorizmit.
Pasoja të tilla paraqesin kërcënim edhe për sigurinë nacionale të Kosovës. Të gjithëve na kujtohet aftësia e këtij grupi për rekrutimin ideologjik dhe fetar të të rinjve nga Kosova. Sipas raporteve zyrtare, numri total i tyre, duke përfshirë nga gratë dhe fëmijët që patën shkuar në zonat e luftës në Siri ishte 402. Shumë nga ta kanë rënë në frontet e luftës. Kështu, ky epilog eventual, tregon se interesat e Kosovës dhe të Republikës Turke për të ardhmen e një Sirie pas Assadit mund të jenë në kolizion.
Natyrisht, kjo nuk do thotë se dy vendet tona janë armiqësore dhe nuk janë aleat. Por, në rastin konkret ajo që për Ankaranë paraqet rrezik të sigurisë nacionale është e kundërta për Kosovën. Dhe po ashtu, edhe për shtetet perëndimore. /TV Arbëria