SHKRUAN: AGRON HOTI
Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (L2B) e deri më sot, beteja më e madhe gjeopolitike në botë është zhvilluar rreth energjisë. Luftërat, aleancat, pushtetet dhe ndikimet strategjike janë ndërtuar mbi kontrollin e burimeve energjetike. Siguria energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike; ajo është siguri kombëtare, sovranitet politik dhe garanci për të ardhmen. Një shtet që kontrollon energjinë e vet kontrollon fatin e vet.
Shqipëria dhe Kosova posedojnë tri pasuri strategjike që shumë shtete të Evropës nuk i kanë: thëngjillin e Kosovës, lumenjtë e Shqipërisë dhe bregdetin shqiptar. Të kombinuara së bashku, këto tri resurse do ta poziciononin kombin shqiptar si një faktor energjetik dhe ekonomik me peshë në rajon dhe më gjerë në Evropë. Pikërisht për këtë arsye, goditja ndaj shqiptarëve është përqendruar vazhdimisht mbi këto tri pika jetike. Përçarja e tyre është në funksion të kësaj rend-dite anti-shqiptare.
Kosovës po i pengohet prej vitesh pavarësimi energjetik nga rezervat e saj gjigante të thëngjillit, ndërsa Shqipërisë po i pengohet zhvillimi strategjik i bregdetit dhe shfrytëzimi maksimal i potencialit energjetik të lumenjve. Arsyetimet janë banale. Por, këto nuk janë rastësi. Kur një komb kontrollon energjinë, ai fiton pavarësi politike, stabilitet ekonomik dhe fuqi gjeostrategjike.
Viti 2019 shënoi një kthesë historike globale: për herë të parë, SHBA u bë eksportuese neto e energjisë. Amerika e kishte kuptuar shumë më herët se Evropa, nga viti 2000 deri në vitin 2022, po fundosej gradualisht në varësinë energjetike ruse. Çdo tubacion i ri rus drejt Evropës nuk ishte vetëm projekt ekonomik; ishte zgjerim i ndikimit strategjik të Rusisë në zemrën e kontinentit evropian.
Sa më shumë që Evropa po varej nga energjia ruse, aq më shumë po dobësohej siguria e saj strategjike dhe aq më shumë po forcohej Serbia si aleate tradicionale e Rusisë në Ballkan. Në këtë klimë u intensifikua edhe propaganda kundër Kosovës, kundër UÇK-së dhe kundër çfarldo fryme patriotike shqiptare. Nga viti 2000 deri më 2022, sulmet politike, mediale dhe diplomatike ndaj shqiptarëve u bënë gjithnjë e më agresive. Vetëm fakti që Kosova ua besoi amerikanëve ndërtimin e autostradave, mjaftoi që qarqe të tëra evropiane ta trajtonin Kosovën si problem politik dhe strategjik.
U desh agresioni rus mbi Ukrainën në vitin 2022 që Evropa të zgjohej nga iluzioni i “energjisë së lirë ruse”. Lufta në Ukrainë e detyroi Evropën të kuptonte se varësia energjetike nga Rusia ishte shndërruar në kërcënim ekzistencial për sigurinë e saj. Që nga ajo kohë, shtetet evropiane nisën me shpejtësi të braktisin energjinë ruse dhe të orientohen drejt energjisë amerikane dhe burimeve alternative perëndimore.
Por, pikërisht në momentin kur e gjithë Evropa po largohej nga ndikimi energjetik rus, Kosova bëri mjerisht të kundërtën. Në vend që të thellonte partneritetin strategjik energjetik me SHBA-në dhe të siguronte pavarësi energjetike përmes projekteve amerikane, politika e totalisht e papërgjegjshme e Kosovës refuzoi në Kuvend Marrëveshjen e Uashingtonit dhe projektet amerikane të energjisë. Me këtë veprim, Kosova jo vetëm që humbi një mundësi historike zhvillimi, por hapi rrugën e vazhdimit të varësisë energjetike nga sistemi serb dhe ndikimi rus në rajon.
Ky nuk ishte thjesht një gabim politik për Kosovën. Ishte një gabim strategjik me pasoja historike. Në kohën kur Evropa po lufton për t’u çliruar nga varësia energjetike ruse, Kosova refuzoi dorën e aleatit të saj më të madh që është SHBA dhe zgjodhi pasigurinë energjetike, varësinë nga Serbia dhe Rusia dhe stagnimin siç është paralizuar sot.
Historia rrallë i fal kombet që nuk arrijnë ta kuptojnë momentin historik kur ai troket në derë. Kosovës iu dha një mundësi e artë që shumë popuj nuk e kanë pasur kurrë: mbështetja amerikane për ta ndërtuar pavarësinë energjetike dhe ekonomike. Refuzimi i kësaj mundësie do të mbetet një nga gabimet më të rënda strategjike të pasluftës. Efektet veç po shihen: Kosova po shpopullohet më shpejtë sesa çdo shtet tjetër në Evropë