Shkruan: Afrim Kasolli
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit me shumë se asnjëherë tjetër treguan për rritjen e zhgënjimit të qytetarëve të Kosovës me partitë aktuale parlamentare.
Ky disponim duket që ka qenë faktori kryesor që më se 60 për qind e qytetarëve të Kosovës të abstenonin nga ky proces zgjedhor, duke e shtuar keshtu edhe më shumë përqindjen e atyre që nuk kanë shpresa se këto subjekte janë adresë për zgjidhjen e krizave të shumanshme në vend. Po ashtu, për shkak të këtij zhvillimi dy partitë më të mëdha poltike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, pësuan tkurrje elektorale, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca nuk përfituan asgjë.
Në bazë të këtij konfiguracioni politik këto zgjedhje nuk ofruan zgjidhje për arsyen kryesore se pse u mbajtën, pra zhbllokimin e zgjedhjes së Presidentit. Lëvizja Vetëvendosje synonte që t’i përvetësonte 60 për qind të trupit elektoral në mënyrë që vetëm me partitë minoritetare jo serbe t’i themelonte të tri insitiucionet kryesore të pushtetit qendror, Kryetarin e Kuvendit, Qeverinë dhe Presidentin. Kurse partitë opozitare mbase pretendonin që ta rrëzonin partinë në pushtet se paku nën 40 deputetë në mënyrë që ta shtonin peshën e tyre politike.
Mirëpo, askund me shumë se në poltikë nuk sipërfaqet dallimi ndërmjet qëllimeve dhe pasojave. Prandaj rrjedhoja me e spikatur e këtij procesi zgjedhor ishte devalimi gjithnjë e më i madh i të gjitha subjekteve politike ne sytë e publikut. Për çfarë edhe qytetarët e Kosovës më shumë e preferuan një “refuzim estetik” sa sa përforcimin e legjitimimit të tyre.
Në këtë kontekst, sa më shpesh që mbahen zgjedhjet parlamentare aq më shumë do te shtohet zhgënjimi ndaj këtij establishmenti politik. Derisa në fund ato të shemben vetvetiu dhe kështu të shtrohet rruga plotësimit të këtij vakumi të mundshëm politik me parti njëmend përfaqësuese të qytetarëve. Sepse ky tjetërsim i tyre shoqëror dhe politik nuk është i rastësishëm. Por ai është pasojë e frymës së brendshme të kultivuar nder vite. Çdo marrëveshje politike ndërmjet tyre për ta tejkaluar ngërçin aktual gjoja për hir të interesit publik në fakt është vetëm përpjekje për ta ruajtur pikërisht këtë fryme qe e konservon këtë tjetërsim.
Një thellim i tillë i humnerës ndërmjet sistemit dhe shoqërisë figurativisht sot i ngjason atij përshkrimit të njohur të filozofit të famshëm gjerman G.W.F. Hegel mbi embrionet e reformacionit modern.
Sipas këtij mendimtari ” ky proces kishte dalur nga korruptimi i Kishës. Kurse korruptimi i Kishës nuk ishte i rastësishëm, pra nuk ishte vetëm shpërdorim i dhunës dhe autoritetetit. Përpjekje për ta shpjeguar atë në saje të një shpërdorimi të rastësishëm, thotë Hegeli, është përpjekje për ta mbrojtur strukturën themelore: do të mjaftonte te zhduket shpërdorimi dhe do te ruhej ne esencë rendi i vjetër. Mirëpo, nuk mund të ruhet një rend i korruptuar i cili doemos prodhon korruptimin duke i korrigjuar disa shpërdorime. Duhet të bëhet një përmbysje e jo disa reforma të jashtme”.