Shkruan: Afrim Kasolli
Ka kohë që dominon ideja se në kohën e administratës Trump kishte marrë hov projekti i ndarjes së Kosovës, mirëpo se një nismë e tillë u pamundësua nga ish-kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel. Spekulohet se për këtë temë kishin lobuar, ish-Ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell, ish-presidenti Thaçi, e deri të kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Kësaj teze i ka mëshuar edhe dje, në një shkrim për mediumin “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, gazetari Michael Martens. Sipas tij nëse kandidati aktual i Partisë Republikane Donald Trump, rizgjidhet president i SHBA-së në muajin nëntor, ka gjasa që përsëri në tavolinën e bisedimeve të rikthehet një opsion i tillë.
Nuk ka shtrembërim më të madh të realitetit politik se sa të supozohet se kjo nismë ishte vetëm dëshirë konspiracioniste e një administrate amerikane dhe se atë e bllokuan gjermanët në krye me Merkelin. Nuk ka shumë kohë më parë që Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një intervistë për kanal 10, kishte deklaruar se SHBA-të, tash për tash janë të fokusuara në procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nuk do ta përjashtonin në mënyrë kategorike një gjë të tillë, nëse do të kishte pajtim demokratik të popullsive lokale. Po ashtu, edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një analizë të mëhershme kishte shkruar se nuk bënë të përjashtohet kjo mundësi si pjesë e skenarëve për marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.
E diskutimi në masë më të madhe i kësaj ideje nuk ka ardhur rastësisht. Por, ai mund t’i atribuohet edhe dështimit të dialogut në Bruksel dhe mungesës së presionit të shteteve evropiane ndaj Serbisë. Prandaj, edhe Angela Merkel, më shumë se sa ka penguar këtë diskutim, ajo në mënyrë të tërthortë e ka fermentuar. Për shkak të apetiteve të industrisë gjermane për burimet e lira energjetike ruse ajo i krijoj akses këtij shteti autoritar në tregun dhe politikën evropiane. Këtë fenomene i pasqyron dokumentari i DW “Russia’s Gazprom-Corrupt policians and dhe greed of the west” , këto raporte nuk u ndalen as pas intervenimit brutal të Kremlinit në rajonet e Donbas dhe Luhansk, dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014 nga Rusia
Madje e njëjta e kishte vizituar disa herë dhe Serbinë. Kurse Kosovën vetëm një herë më rastin e vizitës së trupave gjermane në kuadër të KFOR-it. Thuhej se ky refuzim i saj kishte të bënte me shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë. Por kush e beson këtë dokërr se Serbia e Vuçiqit dhe Rusia e Putinit ishin me pak të korruptuara dhe me pak demokratike se sa Kosova?
E kjo pleksje e interesave ekonomike gjermane me ato ruse dhe serbe, nuk nënkuptonte asgjë tjetër, pos fuqizimin e tyre gjeopolitik. Kurse kjo dobësi evropiane e trimëroi edhe më shumë Serbinë në procesin e dialogut. Asnjë nga shtetet e Unionit nuk e ka potencuar se ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke, siç ngulmonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Kosovës i bëhej presion që të bënte kompromise në negociatat e Brukselit, duke mos marr asgjë në këmbim të saj. Ashtu siç është duke ndodhur edhe sot më planin franko-gjerman, ku Kosova detyrohet ta legalizojë ndërkombëtarisht Asociacionin, por që nuk do ta marrë një të tillë për shtetësinë e saj, dhe kështu të mbetet peng i një procesi që nuk i shihet fundi. Kurse arsyetimi për këtë marrëveshje tashmë është i njohur. Me anë të saj u ndal ndarja e Kosovës, pavarësisht faktit se me të po çimentohen parimet e ndarjes së brendshme të Kosovës. Dhe që nesër ky solucion, jo që nuk do të mund ta luftojë atë për cilën pretendon se është pranuar, pro vetëm sa do ta bëjë edhe më të rrezikshme dhe më të pashmangshme edhe ndarjen e jashtme.
/TV Arbëria