Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse fitorja eventuale e Donal Trump-it do t’i ndihmonte Albin Kurtin për ta zbatuar me lehtë Asociacionin?

Pse fitorja eventuale e Donal Trump-it do t’i ndihmonte Albin Kurtin për ta zbatuar me lehtë Asociacionin?

Shkruan: Afrim Kasolli

Dita e djeshme solli edhe një herë në qendër të opinionit publik temën e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kryetari i Kuvendit e Glauk Konjufca e akuzoi Bashkimin Evropian, se me këtë propozim i ka uzurpuar kompetencat e shtetit të Kosovës. Ndërkohë, paralelisht me këtë zhvillim mediumi Evropa e Lirë bëri të ditur se Brukseli në Raportin e Progresit për këtë vit do t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë, zbatim urgjent të obligimeve që dalin nga Marrëveshja bazike e Brukselit, si dhe i bëhet thirrje Prishtinës që menjëherë të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, të njëjtën kërkesë para pak dite, e kishte artikuluar edhe Ndihmës Sekretari amerikan për Evropë dhe Azi, James O’Brein..

Kjo qasje e dyfishtë e kryekuvendarit në raport me këtë temë tashmë është e njohur. Ajo është mishërim i strategjisë trullosese të këtij pushteti në raport me opinionin. Sepse ishte njëjti person që pasi Kosova e kishte pranuar këtë dokument, e kishte lavdëruar atë se është i shkruar në përputhje me germën dhe frymën e kushtetues. Duke e ndërruar komplet këtë vlerësim pas pak kohe.

Mirëpo, përpos këtij motivi kjo qasje kontradiktore sot ka gjasa të intensifikohet gjatë ditëve dhe muajve në vijim edhe për shkak të afrimit të zgjedhjeve parlamentare. Dhe në këtë mënyrë pushteti aktual ta përçojë mesazhin e rezistencës në mbrojte të sovranitetit shtetëror edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, përpos të njëjtave veprime që i ka bërë në veri kundër strukturave kriminale dhe ilegale serbe. Pra në këtë atmosferë të elektrizuar elektorale ky pushtet mëton ta pozicionojë vetën si mbartës i një kryqëzatë politike si kundër mbetjeve të Serbisë në Kosovë ashtu edhe diplomacisë perëndimore që po tregohet jo korrekte dhe asimetrike në raport me Kosovën.

Parimisht, si kryeministri ashtu edhe kryekunvendari kanë drejtë në kritikën e tyre ndaj BE-së. Sepse,vetë mënyra e këtij propozimi qëndron në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, kjo kritikë ka kuptim vetëm në raport me Marrëveshjen parë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Sipas këtij akordi shteti i Kosovës është pajtuar për themelimin e këtij entiteti, struktura e të cilit do të bëhet mbi të njëjtën “bazë sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës”. Prandaj, Jason Steinbaum, nga Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në SHBA, ka deklaruar se “kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale”. Po ashtu, sipas një raporti juridik të përgatitur nga ky think tank amerikan, “Kushtetuta e parasheh procesin në bazë në bazë të të cilit komunat marrin vendimin për të themeluar asociacione, apo për t’iu bashkuar atyre, siç edhe ka ndodhur tashmë me krijimin e asociacionit të rregullt të komunave, të cilin e kanë themeluar vetë komunat”.

Mirëpo, problemi është se Kosova e ka një marrëveshje tjetër që del nga plani franko-gjerman, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të dakordaura në Bruksel dhe në Ohër. Dhe propozimi i hartuar nga BE, është pjesë organike e këtij “pajtimi historik”. Sepse, sidomos në Aneksin e zbatimit në Ohër, Serbia dhe Kosova, janë pajtuar “që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve, dhe se të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”. Kështu, fatkeqësia politike e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, është se tashmë ata nuk kanë rrugë tjetër shpëtimi nga kurthi diplomatik ku e kanë futur Kosovën, pos duke iu referuar marrëveshjes së Hashim Thaçit, çfarë edhe një herë vetë shkarazi kryekuvendari e pat pranuar.

Mirëpo, që kjo të bëhet e mundur nevojitet fillimisht plotësimi i disa parakushteve tjera. E para që Kosova ta anulojë Marrëveshjen bazike të Brukselit, çfarë duket një mision i pamundur, duke marr parasysh qëndrimin e Brukselit se tashmë ajo është një detyrim ligjor ndërkombëtar edhe pse i pa nënshkruar dhe i pa ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Dhe e dyta që tandemi politik Kurti-Konjufca vuajnë nga sindromi i grandomanisë së pagabueshmërisë historike dhe politike. Pra edhe sikur që të krijoheshin rrethanat ndërkombëtare që Kosova ta merrte pronësinë e këtij procesi ata nuk do ta bënin. Sepse e tëra që ata kanë nevojë është krijimi i një justifikim publik se me zbatimin e këtij detyrimi e shmangin një të keqe më të madhe, ashtu sikur se arsyetoheshin kur e pranuan se me këtë draft-statut morrin fund pazaret për këmbim të territoreve.

Dhe kjo dhuratë mund të vijë nga një fitore eventuale e kandidatit republikan Donald Trump, duke i asociuar nismat e administratës së tij diplomatike për rajonin me planet për ndarjen e Kosovës. Me këtë rast Albin Kurti do të pohonte se i vetmi instrument që Kosova e ka në dorë për ta shmangur këtë skenar mbetet zbatimi i detyrimeve që dalin nga procesi i dialogut në Bruksel. Pra në këtë mënyrë, ai do të mëtonte të vazhdonte ta ruante rolin e tij heroik edhe atëherë kur pajtohet me zgjidhje anti-kushtetuese, sepse në këtë mënyrë ia doli që ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës. Tashmë kjo formule është e njohur, nëpërmjet dilemës “merre ose leje” të cilën ka dëshmuar se nuk ka telashe për ta përqafuar. E kështu të tentojë ta kultivojë kultin rezistuesit para elektoratit të tij edhe atëherë kur e përqafon nënshtrimin e kapitullimin shtetëror e politik./tvarbëria/

Powered by WordPress