Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Evropa më nuk mund të jetë me “interes” për Amerikën?

Pse Evropa më nuk mund të jetë me “interes” për Amerikën?

Shkruan: Afrim Kasolli

Shumëkush ishte shokuar, kur ish-presidenti Donald Trump, dhe kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit, pat filluar me kritikën ndaj vendeve anëtare të NATO-së, se me mosplotësimin e detyrimeve financiare ndaj aleancës po përfitonin në kurriz të mbrojtjes amerikane. Madje, gjatë fushatës zgjedhore në Karolinë të Jugut, ai kishte deklaruar t’i ketë thënë një lideri të një vendi aleat se “do ta nxiste Rusinë të bëjë çfarë dreqin do, nëse ju nuk paguani”.

Komente të tilla janë parë si devijim nga sjellja tradicionale e SHBA-ve, përkundrejt detyrimeve ndaj vendeve aleate si dhe inkurajim i promovimit të politikave izolocianiste, sipas parimit Amerika e Para (America First).

Por çka nëse tashmë kjo sjellje, që në shikim të parë duket shmangie nga norma, në të vërtetë mund të jetë qëndrim strategjik gjithnjë e më i theksuar në politikën e jashtme amerikane. Dhe si e tillë të mos shfaqet vetëm si qëndrim i republikanëve, por nesër edhe i demokratëve, përkundër faktit se fuqizimi i lidhjeve trans-atlantike, këta të fundit ende e konsiderojnë si interes primar strategjik dhe mjet efikas për të kontrolluar forcat galoponte kaotike . Kjo frymë është mbrojtur veçanërisht gjatë këtij mandati nga presidenti Joe Biden. Por edhe nga zëvendës presidentja, Kamala Harris, e cila ka deklaruar, se nëse e fiton postin e të parës së SHBA-së, do ta vazhdojë këtë traditë. Mirëpo, as kjo nuk do të thotë se do të mbetet e pandryshuar. Sepse dinamikat gjeopolitike mund t’i kushtëzojnë këto ndryshime. Dhe pikërisht tërheqja nga Evropa të shndërrohet në qëndrim bipartizan politik, ashtu siç ka qenë involvimi në garantimin e sigurisë së kontinentit të vjetër deri më tani.

Është vërtetë se Uashingtoni, sidomos nëpërmjet NATO-së, por dhe mekanizmave tjerë multilateralë ka pasur rol primar në ndërtimin e arkitekturës së sotme evropiane. Dhe në këtë drejtim ka ekzistuar një konsensus i plotë pavërisht se cila parti e ka drejtuar administratën amerikane. Dhe kjo nuk dot ë thotë se kanë ndryshuar interesat e tij për Evropën, por se tashmë ato janë realizuar. Sepse, siç pohojnë Justin Logan dhe Joshua Shifrinson në shkrimin “A Post-American Europe-It’s Time for Washington to Europeanize NATO and Give Up Responsibility for the Continent’s Security” që nga fillimi interesi i SHBA-ve në raport me kontinentin ka qene identik, për ta mbajtur pushtetin ekonomik dhe ushtarak të ndarë. Pra thjesht për ta penguar shfaqjen e një fuqie të vetme hegjemonike evropiane në mes të shumë shteteve. Pozitë kjo, që sot nuk mund ta plotësojë asnjë shtet i veçantë evropian. Për këtë arsyeje Uashingtoni u përfshi në dy luftëra botërore, fillimisht kundër Gjermanisë Imperiale në Luftën e Parë Botërore dhe Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore, por edhe gjatë Luftës e Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik, arsye kjo edhe për të cilën ishte themeluar Aleanca Veri-Atlantike. Është e vërtetë, se sot po zhvillohet një luftë në Ukrainë nga pushtimi brutali Rusisë. Mirëpo, nuk asnjë shans që Rusia e sotme të shndërrohet ne hegjemonin e ri dhe të vetëm të Evropës.

Prandaj, sipas këtyre autoreve ka ardhur koha evropianizimit të NATO-së, me qëllim që Amerika të fokusohet në Azi Paqësor atje ku realisht po rrezikohen interesat e saj nacionale, për shkak të rolit gjithnjë me të madh hegjemonik të Kinës. Dhe ai rajon është po ashtu me interes strategjik për SHBA-në, për të njëjtat arsyeje. Sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, Uashingtoni edhe atëbotë u përfshi në terrenin e luftës me synim kryesor gjunjëzimin e Japonisë.

Kështu, qoftë nga fitorja apo jo e Trumpit, nuk do të thotë se shumë nga nismat e tij nesër nuk do të bëhen qëndrim i përbashkët strategjik i të dy partive. Dhe ato nuk janë thirrje për tërheqje nga bota e Amerikës, siç perceptohet zakonisht. Por riorientim strategjik i saj, konform rrethanave te reja. Kjo mund të vërehet edhe në Lindje të Mesme. Që nga planet e tij për ta afruar Izraelin me Botën Arabe nëpërmjet Akordeve të Abrahamit si instrument për ta balancuar Iranin gjithnjë më agresiv. Dhe një gjë e tillë nuk është që u braktis nga administrata Biden. Përkundrazi, një marrëveshje e tillë me Arabinë Saudite, ashtu sikur qe ishte bërë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejn-in, ishte shumë afër. Por shpërthimi i Luftës në Gaza, pas sulmit terrorist të 7 tetorit nga Hamasi i ndryshojë rregullat e lojës.

Prandaj, ka gjasa që tash e tutje do ta kemi një Amerikë gjithnjë e më pak të interesuar për telashet evropiane për shkak të detyrimeve për t’i mbrojtur interesat e saj nacionale në konkurrencë me Kinën ne Azi Paqësor. Se çfarë implikime do të ketë kjo edhe për Kosovën mbetet të shihet. Në fund të fundit, Kosova u bë shtet pikërisht falë angazhimit dhe përkushtimit Amerikan për sigurinë evropiane. /TV Arbëria

Powered by WordPress