Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse është shtuar kënaqshmëria e qytetarëve me pushtetin, përkundër varfërisë dhe papunësisë?

Pse është shtuar kënaqshmëria e qytetarëve me pushtetin, përkundër varfërisë dhe papunësisë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Të dhënat e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), nëpërmjet matjes së pulsit publik kanë treguar se qytetarët në Kosovë janë të kënaqur me udhëheqjen e institucioneve të Kosovës. Sipas këtij hulumtimi të prezantuar sot është vërejt një rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Qeverisë, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes, në krahasim me vitet paraprake. Kështu kjo anketë tregon se “se një përqindje më e madhe e të anketuarve (36.33%) kanë qenë shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht, krahasuar me 23.9% në nëntor të vitit 2023”. Ndërkohë, është shënuar ulje e besimit në punën e  gjyqësorit, kurse“varfëria, papunësia dhe çmimet për furnizimet esenciale janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova”.

Në shikim të parë këto kontradikta janë shprehje e një disonance serioze sociale dhe psikologjike. Sepse, kjo shoqëri vazhdon te jetë e kënaqur pikërisht me atë pushtet, që ka edhe përgjegjësi mbi ato që janë listuar si disa nga problemet më madhore të saj sikur varfëria e papunësia.

Mirëpo, përtej këtij paradoksi, ky disponim i çuditshëm i qytetarëve të Kosovës, dëshmon edhe faktin se opozita ka dështuar t’i bind ata pikërisht në temën që konsideron se është me fortë dhe ku kjo shumicë parlamentare ka çaluar  më së shumti,  sikur se në ekonomi. Ka kohë që këtë opozitë e karakterizon një heshtje mortore për tema të mëdha politike, duke tentuar që ta shfaqë vetën, vetëm si alternative ekonomike ndaj pushtetit dhe e cila operon kryesisht me terma teknikë, administrativë dhe juridik, si dhe e zhveshur plotësisht nga gjuha politike. Ky tipar e karakterizon si kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, ashtu edhe PDK-në. Madje, kjo e fundit, në funksion të këtij qëllimi e ka nominuar edhe Bedri Hamzën, si kandidat për kryeministër, duke marrë parasysh reputacionin dhe ekspertizën e tij në këtë fushë.

Sidoqoftë, ky depolitizim i opozitës, po tregon qartë se nuk është duke i ndihmuar asaj. Përkundrazi, vetëm se i ka krijuar terren edhe më të madh politik Albin Kurtit dhe pushtetit në përgjithësi. Prandaj edhe narracioni dhe rrëfimi i tij ka hegjemoni të konsiderueshme politike dhe shoqërore. Fakt ky që dëshmohet edhe nga ky hulumtim. Sepse qytetarët e Kosovës edhe përkundër se e konsiderojnë varfërinë dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre, po ashtu ata ende i besojnë rrëfimit të të parit të qeverisë, se kjo gjendje është e trashëguar nga qeverisjet e kaluara 20 vjeçare, për çka edhe amnistojnë Albin Kurtin.

Ndërkohë, asgjë nuk e konfirmon më shumë këtë anomali se sa rritja e zhgënjimit të qytetarëve me punën e gjykatave. Dhe këtu nuk duhet përjashtuar mundësinë se një perceptim i tillë mund ta ketë edhe burimin në sulmet e vazhdueshme që Albin Kurti, me eksponentët e tij, sikur se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë orkestruar ndaj tyre, duke i paraqitur ato si mbetje të regjimit të vjetër dhe pengesë për reformat e mirëfillta në drejtësi. Madje kjo ishte koha kur opozita më së shumti i ka shënuar disa fitore juridike, sidomos në Gjykatën Kushtetuese, por që e privuar nga fjalori politik, i ka dhënë edhe më shumë legjitimitet shoqëror dhe publik sulmeve të të parëve.

Këto janë mbase disa nga arsyet që kontradikta të tilla po i shoqërojnë qytetarët e Kosovës, ku përkundër inflacionit, papunësisë dhe varfërisë, për shkak të mungesës së një alternative politike opozitare, nuk u mbetet rrugë tjetër, pos që t’u shtohet edhe më shumë knaqëshmëria me pushtetin. E të mos flasim këtu edhe për dështimet tjera të këtij pushteti sikur se masat sanksionuese, tensionet me aleatët, izolimi gjithnjë e më madh ndërkombëtar i vendit, që duket se nuk kanë dikuar aq shumë në perceptimet e publikut, sepse shumica e tyre janë shprehur të kënaqur me drejtimin politik të vendit.

Themes by WordPress