Shkruan: Afrim Kasolli
Fitorja spektakulare e Partisë Laburiste në Britani dhe suksesi i koalicionit të gjerë majtist, Fronti i Ri Kombëtar, kundër partive të ekstremit të djathtë në Francë, të drejtuar nga Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, ka nxitur shpresa se më fund e majta po e gjen rrugën për t’u shndërruar në “terapi” politike ndaj telasheve të prodhuara nga e djathta.
Shto edhe këtu faktin, se partitë e majta e formojnë koalicionin qeveritar në Gjermani, ndonëse në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, partitë e këtij koalicioni njohën rezultatin me keq të mundshëm në këto dekada.
Në këtë kontekst, historiani i njohur, Timothy Garton Ash, në një shkrim për mediumin britanik “The Guardian”i entuziazmuar nga konstelacioni i ri i forcave politike në Britani, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar, papritmas u shndërrua në një fener stabiliteti në Evropë, kurse Franca megjithëse e zhvendosi nga vendi parë partinë e Tubimit Kombëtar, përsëri e ka bërë të paqartë të ardhmen politike të vendit.
Mirëpo, edhe sa i përket Britanisë është ende herët të thuhet se mund të priten rezultate impresive nga qeveria re. Sipas, Fintan o’Toole, në shkrimin “Can Starmer Save Britain”? të botuar para pak ditë në Foregin Affairs, asnjë nga sfidat me të cilat sot përballet shoqëria britanike nuk mund të kurohen pa një ndryshim rrënjësor të sistemit. Dhe politika e këtij shteti mjerisht është e hendikepuar pikërisht në këtë drejtim.
Mirëpo, përtej këtyre rasteve specifike, partitë e këtij spektri politik për shkak të situatës në të cilën gjendet bota, vështirë se mund të shndërrohen në prijatare të ndryshimeve të domosdoshme. Për më shumë presioni për të fituar vota i ka bërë ato që në shumë çka t’u ngjajnë partive të djathta. Le të marrim vetëm shembullin e Britanisë. Kryeministri i këtij vendi, Kair Starmer, pa asnjë hezitim i ka pranuar kufizimet fiskale konservatore të cilat e paraqesin pengesën kryesore në reformimin e investimeve publike. Kurse kohë më parë mediumi i njohur britanik “The Guardian” në shkrimin “Adopting rightwing policies ‘does not help centre-left win votes” konstatonte, se pikërisht shpresa e formacioneve të qendrës sociale demokrate se do të mund ta ruanin mbështetjen në opinion duke i adaptuar politikat e krahut të djathtë për tema sikur se emigracioni dhe ekonomia, ka ndikuar që ato ta përqafojnë antitezën e tyre. Pra në këtë mënyrë, ato nuk janë asgjë tjetër, pos vazhdim i politikave të djathta me vello majtiste.
Ndërkohë, le të marrim rastin e besimit të partive progresive në planin ndërkombëtar. Në parim ato e kundërshtojnë militarizmin e tepruar i definuar ndryshe si principi i tërheqjes. Po ashtu ato janë kritike ndaj asaj që dikur quhej si anti-imperializëm, kurse sot definohet si anti-hegjemonizëm. Dhe në këtë drejtim trageti kryesor i tyre mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje nuk është rastësishme që Partia Komuniste e Francës si pjesë e bllokut majtist të Frontit të Ri Popullor, që u përkrah edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte qenë si kundër bombardimeve të NATOS-së, në vitin 1999 për ndaljen e spastrimit etnik të Kosovës nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Regjimit të Miloshviqit, ashtu edhe kundër shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Kështu, ky rast dhe shumë të tjera tregojnë se në shumë çka se këto parti vuajnë nga bindja naive se vetëm reduktimi i rolit global të Amerikës, do ta bënte botën më kooperative dhe paqësore. Por saktësisht është e kundërta. Siç kanë argumentuar, Megan A. Stewart, Jonathan B. Petkun, dhe Mara R. Revkin, në shkrimin e botuar në Foregin Affaris, “The Progressive Case for American Power -Retrenchment Would Do More Harm Than Good”, le të marrin vetëm shembullin e Ukrainës. Nëse ndiqet kauza majtiste për më pak militarizëm, kjo nuk do të rezultonte në më shumë egalitarizëm, apo më pak luftë. Përkundrazi, vetëm sa do ta tundonte edhe me tepër liderin rus për pushtime të reja territoriale. Apo thirrjen e tyre për një kufizim ekonomik të SHBA-ve nga tregu botëror. As ky opsion nuk do ta bëjë botën me të barabartë. Sepse edhe në këtë rast vetëm sa mund të krijohet një vakum më i madh, që mund të shfrytëzohet nga shtete autokratike. Se në çfarë iluzione janë disa eksponentë të së majtës progresiste, e tregon rasti, kur politikan si Bernie Sanders, apo senatori Elizabeth Warren si dhe përfaqësuesi Keith Ellison e duartrokitën largimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Paqësor.
Janë këto vetëm disa nga kontradiktat që tregojnë se nëse e majta vazhdon të mbetet peng i këtyre anomalive nuk ofron një shtegdalje për krizën ku aktualisht është katandisur bota. /TV Arbëria