Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Pse çuditet opozita për humbje të thellë?!

Pse çuditet opozita për humbje të thellë?!

Shkruan: Agron Hoti

Në këto 5 vitet e fundit ka pasur me dhjetëra skandale të mëdha qeveritare, bile të padëgjuara më parë, ndërkohë që opozita nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprimesh politike për ta ndryshuar rrëfimin para qytetarëve të Kosovës.

Rasti më i fundit është lajmi i gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) që tregon se si shteti zviceran kishte organizuar takime joformale në mes të zëvendëskryeministrit dhe kreut të ekipit negociator, Besnik Bislimit, dhe kryediplomatit serb, Marko Gjuriq.

Paramendoni, sikur një skandal i përmasave të tilla të kishte ndodhur në Shqipëri, si Rama ashtu edhe Berisha, menjëherë do t’i kishin nxjerrë qytetarët në rrugë dhe do ta kishin akuzuar pushtetin për së paku rrezikim të sigurisë dhe tradhëti kombëtare.

Ndërkohë, opozita – apo thënë më mirë partitë që deri dje ishin në opozitë – na u çuditka për humbjen e thellë në zgjedhjet e dhjetorit 2025. S’ke pse çuditesh fare, sepse këta që sot janë në pushtet, kanë pasur mbi 15 vite që shkuar zvarrë nëpër protesta e burgje për të ardhur  pushtet. Asgjë s’u ka ardhur falas.

Ka një rregull të pashkruar që thotë: pushteti fitohet, nuk dhurohet. Nuk duhet lënë opozitarizmin vetëm në duart e gazetarëve. Publikimet e gazetarëve duhet përkthyer në veprime politike opozitareske, përndryshe nuk mund të konsiderohesh opozitë.

Në një vend pa opozitë funksionale siç vazhdon të jetë Kosova, opozitarizmi vetëm gazetaresk, mund t’i ekspozojë gazetarët përballë sulmeve të pushtetit, i cili mundohet t’i delegjitimojë ata dhe t’i nxisë qytetarët që t’i besojnë vetëm rrëfimit të pushtetit.

Nuk ka politikë pa veprim politik. E veprimi politik kërkon së pari strategji dhe përkushtim politik për ta shtrirë ndikimin te qytetarë

Nëse asnjëra prej këtyre nuk ndodhin, atëherë rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit 2025 nuk do të duhej të ishte fare befasi, e më së paku për opozitën.

Nëse opozita pret nga pozita që t’ia dhurojë pushtetin, atëherë kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë askund.