Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pse Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës?

Pse Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Në disa paraqitje publike, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,  i ka akuzuar partitë tjera parlamentare se më shumë se sa që janë kundër të preferuarës së tij për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiut, ato janë kundër popullit të Kosovës. Sipas tij drejtuesit e këtyre subjekteve politike nuk e kanë “problemin me Albulenën, por me popullin që nuk ua dha besimin dhe kanë problem më LVV që përfundimisht ua ka ndalur përfitimet e paligjshme dhe pasurimin privat”  Prandaj,  për kryeministrin në detyrë, “destruktivteti opozitar ndaj themelimit të institucioneve të Kosovës, ka xhelozinë dhe lakminë ndaj Lëvizjes dhe shpalos mospranimin e rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit”.

Askush nuk e mohohen se në “regjimin e vjetër” ka pasur afera korruptive. Për çka edhe partitë e “establishmentit” shetëror morën ndëshkimin qytetar. Por nuk mund të mohohet fakti se edhe “regjim i ri” është bërë çerdhe e akteve të tilla.  Mirëpo, akuza e parë në fakt nuk është asgjë tjetër përpos një projektim i vetvetes te tjerët, tipar ky i njohur në kuadër të mekanizmave mbrojtës psikologjik. E para ishte Albin Kurti që i kishte kërkuar 500.000 vota me qëllim që ta vazhdojë qeverisjen absolute pa partner qeverisës.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës me 9 shkurt vendosën ndryshe. Ata votuan në kundërshtim me  pritjet e tilla. Kjo nuk do të thotë që ata ishin kundër që Albin Kurtit t’i vazhdohet pushtetit. Por tash e tutje ky ta ushtrojë atë nëpërmjet kompromisit dhe bashkëpunimit ndër partiak. Ashtu siç ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin K0124/25 ku në mënyrë specifike pohon se “propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm. Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit” .

Ndërkohë, asnjëra nga partitë e deridjeshme opozitare, me gjithë dëshirën e natyrshme për fitore zgjedhore nuk ka manifestuar ambicie të tilla megalomane. Prandaj, këtë refuzim të partisë fituese të zgjedhjeve për kompromis mund ta shohim pikërisht si rebelim politik kundër vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës, pse nuk ia shtruan rrugën për sundim absolut, Albin Kurti. Kështu, si hakmarrje ndaj këtij disponimi ai ka vendosur ta mbajë peng shtetin e Kosovës dhe ta vazhdojë për aq sa mundet qeverisjen jashtë çdo kontrolli parlamentar e me institucione të bllokuara.  Veprime këto që nuk janë asgjë tjetër, pos mospranim i rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit.