Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pse Albin Kurti e ka obligim të jetë kundër Fatmir Limajt për kryekuvendar?

Pse Albin Kurti e ka obligim të jetë kundër Fatmir Limajt për kryekuvendar?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Që kur filluan të qarkullojnë në opinion skenarët për një koalicion të mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë Nisma për Kosovën, janë përmendur lloj-lloj pretendimesh që do ta bënin mundur një bashkëqeverisje të tillë. E para rezultati zgjedhor dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje, nuk ia kishte dalur t’i fitonte 500.000 zemra, siç kishte aspiruar. Prandaj, sigurimi i pushtetit tash nuk mund të bëhej pa koalicion më njërën prej partive të ish“regjimit të vjetër” ose me Listën Serbe. Albin Kurti kishte premtuar se do ta çlironte shtetin nga këto dy tabore politike.

Mirëpo, në rrethanat e reja, ndërmjet riafrimit me një parti të drejtuar nga një ish-udhëheqës i luftës dhe asaj me Listën Serbe, pa dyshim se opsioni i parë do të ishte më i pranuar, si nga shoqëria ashtu edhe nga militantët e partisë. Madje edhe qarqe të afërta me liderin e Vetëvendosjes filluan justifikojnë këtë opsion politik. Deklarimet e liderit të Nismës për Kosovën, se është i gatshëm të ulet në tavolinë me çdo lider politik në funksion të zhbllokimit të formimit të institucioneve, filluan të kualifikohen si ato të një burrështetasi. Në këtë kontekst, është përmendur fakti se Fatmir Limaj e ka kushtëzuar, Albin Kurtin me pozitën e krye parlamentarit si parakusht për bashkëqeverisje. Me këtë i pari edhe do ta ruante pozitën e deputetit, si dhe do ta fitonte njërën nga pozitat e rëndësishme shtetërore. Madje dhe pas takimit konsultativ në mes të subjekteve politike për përgatitjen e seancës konstituive, ish-kryeparlamentari Konjufca, kishte deklaruar se partia e tij nuk ka emër për pozitën që ai e kishte mbajtur për një mandat, sepse ajo mund të shndërrohet në temë të pazareve politike, për formimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Mirëpo, nominimi i befasishëm dhe i papritur i Albulena Haxhiut për këtë pozitë, tregon se Albin Kurti, ka hezitim për një solucion të tillë. Janë përmendur disa arseje, se pse i pari nuk ka vullnet për ta votuar Fatmir Limajn, si drejtues të parlamentit.

Fillimisht është potencuar fakti se në rast të dështimit për të gjetur zgjidhje politike për presidentin e vendit, pasi në fillim të vitit të ardhshëm Vjosa Osmanit i skadon mandati, përsëri vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe më këtë rast me automatizëm, Fatmir Limaj do të shndërrohej në Ushtrues Detyre të këtij institucioni. Dhe si i tillë ka pak jo kompetenca. Argument, që sipas gjykimit tim ka qenë bindës. Po ashtu janë përmendur edhe hasmëritë e vjetra që këta liderë kanë ndërmjet vete etj. Por përtej këtyre shkaqeve që mund ta pamundësojnë këtë bashkëpunim, ekziston edhe një arsyeje tjetër më e madhe ndërkombëtare, e cili ndikon që Albin Kurti, të mospajtohet me këtë kusht të Famtir Limajt. Të gjithë kemi pasur rastin ta lexojmë një intervistë të deputetit të Bundestagut gjerman, Josip Juratovic, kur pohon se ke përkrahur, Albin Kurtin, edhe për arsyeje se ky i fundit i kishte premtuar atij se do të angazhohej kundër “koalicionit të luftës”.

Pra ai e ka obligim të mos i pushtetizojë njerëz që i takojnë kësaj trashëgime. Dhe Fatmir Limaj është një nga ikonat e saj. Madje se lideri i Vetëvendosjes i qëndron besnik këtij zotimi kemi pasur rastin ta shohim edhe ngjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni të Veriut, ku ai u pozicionua në mënyrë kategorike kundër Ali Ahmetit, po ashtu një figurë tjetër kjo e luftës çlirimtare. Albin Kurti do të tundohej edhe ta anashkalonte këtë detyrim në rrethana tjera. Por tashmë më një administrate amerikane jo miqësore ndaj tij, ai është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë shans tjetër të rikthehet skenën e politikës ndërkombëtare të paktën në nivelin evropian pa mbështetjen e Gjermanisë. Në këtë rast, Republika e Turqisë mund t’i ofrojë pak ndihmë. Ankaraja mund të jetë edhe dobishme sa i përket mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në shtete si Siria dhe Sudani, por jo sa i përket procesit të politikës evropiane.

Kështu, ai e është i vetëdijshëm, se duke fituar një pushtet të brishtë nga brenda me anë të plotësimit të kushteve të Fatmir Limajt, do t’i tradhtojë zotimet e tij ndërkombëtarë. Nuk është as e rastësishme që të vetmen parti që e ka ftuar publikisht për takim konsultativ ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja që Albin Kurti nuk mund të pajtohet me faktin se në krye të njërës prej pozitave më të rëndësishme shtetërore të jetë një personalitet që ka origjinë politike nga lufta.