Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç ishte paralajmëruar dite me pare, sot u mbajt ceremonia e çnderimit të Universiteti të Prishtinës, në saje të nderimit të pushtetit. Menaxhmenti i këtij institucioni publik akademik ka njoftuar se një organizatë “fantome” brenda tij, ka vendosur t’ua ndajë çmimin “Alumni Nderi” Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Ky dekorim bëhet me motivacionin për të vlerësuar arritjet e dy drejtueseve të shtetit si dhe kontributin e tyre për “ndërtimin dhe përfaqësimin e shtetit” duke u shndërruar në burim frymëzimi nëpërmjet shembullit të tyre nder gjenerata.
Kam shkruar edhe para pak dite se ky akt është shembull eklatant i nënshtrimit shoqëror ndaj pushtetit të “regjimit të ri”. Një akt i tillë nuk është asgjë tjetër, pos një përpjekje tinëzare për ta maskuar realitetin brutal të përfaqësimit të shtetit, pikërisht në kohën kur ai ndodhet në pikën më te ulët të mundshme, qoftë i përket atij të brendshëm ashtu edhe atij ndërkombëtar. Praktikisht, ky veprim mëton ta qesëndisë më “brerore universitare” në sytë e opinionit publik këtë qasje politike.
Në fund të fundit, po të mos ishte në rrugë të drejtë Albini Kurti, nuk do ta bekonte Universiteti. Pra më vend se nga ky kuadër të artikuloj kritika se si të njëjtit po e mbajnë peng vendin duke e bllokuar demokracinë, shpërfillur detyrimet kushtetuese, si dhe në rastin e Qeverisë në detyrë në krye me Albin Kurtin, i kanë uzurpuar dy pozita njëkohësisht, atë të ekzekutivit dhe legjislativit, të konfirmuar edhe me vendim gjykate, Universiteti i Prishtinës i dekoron të njëjtit për këtë sjellje abuzive. Është ky një shembull tipik që e bënë më aktuale se kurrë atë sentencën e njohur të Michel Foucault se “duhet ta luftojmë fashizmin dhe këtu nuk është fjala për fashizmin objektiv historik, por për atë lloj të fashizmit psikologjik që i bënë njerëzit ta duan atë lloj te pushtetit që i dominon dhe shfrytëzon”
Megjithatë, ajo që ra në sy në këtë spektakël, është qetësia olimpike që e shoqërojë atmosferën e ndarjes së çmimeve. Asnjë protestë. Asnjë kundërshtim dhe reagim ndaj këtij eventi. Mund të paramendohet se si aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të ishin organizuar për ta penguar këtë ceremoni sikur të njëjtën gjë ta kishte bërë ky institucion ndaj eksponentëve të “ish-regjimit të vjetër”. Salla do të ishte mbushur me pankarta e slogane duke e atakuar këtë ngjarje, ashtu siç e kanë bërë edhe ndaj ish-rektorit Muja. Pavarësisht faktit se këtë fundit nuk e kishte karakterizuar asnjë lloj skandali i kësaj natyre. Dikush mund të thotë po aktivistët e sotëm të opozitës nuk kanë nevojë t’i imitojnë ata Lëvizjes Vetëvendosje. E vërtetë. Por a është alternativë heshtja pajtuese? Sepse në këtë mënyrë këta të fundit po e transmetojnë mesazhin se janë kundër rezistencës së domosdoshme për ata kufizuar shtrirjen e monopolit të pushtetit në çdo pore të shoqërisë. Dhe kështu ta admirojnë “mbi pushtetin” e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit