Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Abini Kurti ka të “drejtë”?

Pse Abini Kurti ka të “drejtë”?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me krizën në Kuvendin e Kosovës, dje e përsëriti refrenin e njohur se “përkundër situatës politike, Kosova vazhdon të ketë një qeveri në detyrë”. Sipas Albin Kurtit, “Kosova ka qeveri në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë”.

Një refren ky i njohur i tij, se ai personalisht nuk e ka asnjë telashe me krizën aktuale. Fakti se vazhdon t’i mbajë dy pozicione politike, atë të deputetit dhe të kryeministrit në detyrë, që paraqet një konflikt të hapur interesi sipas normave kushtetuese në Kosovë, nuk paraqet problem për të.

Një pozicion të ngjashëm e ka mbrojtur pak a shumë që prej se ka filluar odiseada e dështimeve të programuara politike të Kuvendit të Kosovës. Madje duke e mohuar edhe realitetin objektiv të krizës, me arsyetimin se ajo është vetëm percpecion  shqisor i subjekteve “opozitare” të pamësuara me stabilitetin aktual institucional. Kështu, Albin Kurti po dëshmon se është i kënaqur me mohimin e materializmit politik të vullnetit të sovranit. Sepse për aq kohë sa Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konsitituohet, ky vullnet mbetet peng i tekave partiake dhe politike.

Në këtë drejtim, Albin Kurti ka të “drejtë”. Sepse e tërë kjo kakofoni është në pajtim me intencat e tij politike. Në fund të fundit, normat kushtetuese dhe konfiguracioni i balancave institucionale që e formon matriksën shtetërore, ai  në vazhdimësi e ka konsideruar si dytësore në raport me  qëllimet e Lëvizjes. Për të, ky entitet organizativ dhe ai personalisht, është mishërim autentik i reprezentimit të popullit të Kosovës. Me këtë rast, çdo gjë tjetër duhet t’i subordinohet kësaj skeme. Prandaj, situata aktuale është jetësim ideal i këtij qëndrimi doktrinar.

Në këtë drejtim, nuk është problemi  te Albin Kurti. Asnjë lider politik nuk ia kufizon pushtetin vetvetes. Ky i fundit kufizohet vetëm me pushtet alternativ, i cili pluskon nga sfera e përbashkët e aksionit njerëzor. Mjerisht deri më tani, përjashto nismën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dërguar në Gjykatën Kushtetuese sa i përket ndryshimit të procedurës së votimit, thuajse të gjitha subjektet tjera parlamentare, janë mjaftuar vetëm me konferencat për shtyp çdo 48 orë, pas dështimit të seancave se përgjegjës për bllokadën është vetëm Albin  Kurti. Por në politikë konstatimet pa veprime janë fraza të thata. Dhe pajtim me vazhdimin e gjendjes, se Albin Kurti ka të drejtë te jetë kryeministër në detyrë me një Kuvend të bllokuar dhe jashtë kontrollit të sovranit demokratik, pa një afat të caktuar.

Në këtë kontekst, synimi i Albin Kurtit për të vazhduar me këtë gjendje dhe apatia politike e subjekteve tjera parlamentare në raport me të, po e ushqen krizën aktuale. Madje e njëjta ka filluar të shndërrohet në kërcënim edhe të demokracisë kushtetuese. E tëra kjo sepse “pushteti” po ndjehet komod me mungesën e kufizimeve të tilla, kurse “opozita” e pushtuar nga frika se duke i mbrojtur parimet fondatore të këtij sistemi mund të ketë kosto elektorale. Ky paradoks është shndërruar në burim të kësaj situate, ku secila prej partive po kalkulon politikisht se si të përfitojnë partiakisht në kurriz të demokracisë.  Liria dhe demokracia është dëshmuar historikisht se nuk dhurohen, por ato fitohen nga beteja dhe rezistenca ndaj pushtetit. E cila për arsyeje që i kam elaboruar në shkrimin “Pse ‘opozita’ nuk po arrin të ngjall inspirim demokratik kundër Albin Kurtit?”, po mungon në Kosovë.