Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > PSD organizon protestë të shtunën kundër Gjykatës Speciale

PSD organizon protestë të shtunën kundër Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate do të organizojë protestë më 24 dhjetor në Prishtinë, kundër dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në konferencë për medie të hënën, tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.

Molliqaj: Të shtunën do të mbajmë protestë

“Ftoj secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, secilën organizatë shoqërore dhe politike që me datën 24 dhjetor, ditë e shtunë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 14:00 të bashkohemi në protestë për të marshuar drejt sheshit “Skënderbeu” dhe adresuar kërkesat tona karshi institucioneve të Kosovës dhe dëshmuar që dënimi që është shqiptuar në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është në emrin tonë”, tha ai.

Ai tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi siç tha ajo duhet të jetë gjykatë për drejtësi në Kosovë.

Molliqaj: Të bëhet amendamentimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara

“Qysh gjatë kësaj jave do t’i paraqesim propozimet tona me shkrim. Fillimisht do të kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të krijojnë një mbështetje, minimumi gjashtë deputetë për të nisur amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Këtë gjykatë që është e veçantë dhe padrejtë duhet të korrigjojmë dhe rregullojmë në mënyrë që të jetë gjykatë e drejtësisë. Jo gjykatë speciale, por gjykatë për drejtësi në Kosovë”, shtoi Molliqaj.

Lideri i PSD-së, tha se Gjykata Speciale po tenton të tjetërson historinë e Kosovës.

Molliqaj: Ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembimin e historisë së Kosovës

“Tash ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembimin e historisë së Kosovës dhe në ditët në vazhdim do të paraqesim fakte konkrete se si po tjetërsohet dhe po shkruhet ndryshe historia brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Molliqaj.

Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.   /TV Arbëria

Powered by WordPress