Partia Socialdemokrate (PSD) i ka dërguar shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se Kuvendi duhet të ndryshojë përmes amendamenteve nenin 6 dhe nenin 16 të këtij ligji.
Molliqaj: Të fillohet amendamentimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara
“Sot iu kemi drejtuar gjithë deputetëve të Parlamentit të Kosovës, përjashto ata të Listës Serbe për t’u bërë pjesë e grupit, i cili do të duhej të ndërtohej nga deputetë për të filluar amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne konsiderojmë se janë dy nene shumë problematike që nuk janë në përputhje me ligji ndërkombëtar për krime lufte dhe konventat ndërkombëtare për krime lufte. Njëri ka të bëjë me konventën lëndore që e trajton subjektin e ndjekjes nga kjo gjykatë e që është trajtimi prej bazës së nenit 6 ku ndiqen vetëm krimet e UÇK-së. Prandaj ne besojmë se kur krimet ndiqen vetëm prej njëra anë ose njëetnike, ajo nuk ka të bëjë me drejtësi, por padrejtësi. Rrjedhimisht duam të ndërrojmë që të kthejmë këtë gjykatë që të sillte drejtësi. Neni i dytë që duam të riformulojmë është ai 16 mbi përgjegjësinë individuale dhe komanduese në veprimet e supozuara që mund të kenë ndodhur”, tha ai.
Molliqaj tha se deputetët duhet të jenë në nivel të detyrës, pasi siç tha populli i Kosovës nuk i duron padrejtësitë e Gjykata Speciale.
Molliqaj: Populli nuk e duron këtë padrejtësi që vjen nga Gjykata Speciale
“Sot iu bëj thirrje gjithë deputetëve që të jenë në nivelin e detyrës, pasi ata janë përfaqësues të popullit të Kosovës. Populli është i qartë se nuk e duron këtë padrejtësi që vjen nga Gjykata Speciale. Besoj se ta shtunën do të jemi masivisht më sheshet e Prishtinës për të treguar se të gjithë jemi kundër kësaj”, shtoi ai. PSD të shtunën organizon protestë kundër Gjykatës Speciale, pas dënimit të ish- pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa me 26 vjet heqje lirie. /TV Arbëria