Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Protestë para bashkisë së Tiranës, bomba molotov drejt godinës

Protestë para bashkisë së Tiranës, bomba molotov drejt godinës

Situata para bashkisë së Tiranës u tensionua ndërsa një tjetër protestë u zhvillua sot përpara bashkisë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, deputetë të opozitës dhe mbështetës të Rithemelimit.

Protestuesit e mbledhur para godinës kanë hedhur molotov në hyrje të institucionit, ndërkohë ata kanë tentuar të thyejnë edhe gardhin metalik dhe janë përplasur me policinë.

Kjo është protesta e dytë pas asaj të 5 prillit të thirrur pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie për dosjen 5D.

Në protestën e sotme morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës.

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi duke iu drejtuar qytetarëve tha se “nuk duhet të harroni se kjo bandë kriminale e instaluar në bashkinë e Tiranës ka filluar të denoncohet nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që dy vite më parë”.

“Redi Molla dhe Tirana DC është kallëzuar nga Aleanca që në muajin maj të vitit 2021. Vjet në prill, gjatë fushatës, kemi denoncuar bandën kriminale 5D me detaje, me dokumente të pakontestueshme”, theksoi Këlliçi.

Pjesë e protestës sërish është edhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, por edhe deputetë të PD-së dhe Grupit të Rithemelimit në PD.

Protestuesit kanë qëlluar në drejtim të bashkisë me mollë dhe tymuese, ndërsa këshilltarët e opozitës po tentojnë të futen në bashki, pasi kërkojnë të marrin informacion në lidhje me kërkesën e tyre për të mbledhur këshillin bashkiak për çështjen e drejtorëve të arrestuar.

Ndërkohë policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës./atsh

Powered by WordPress