Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Protestë në Hagë më 14 Shtator: Mërgata nga Belgjika ngrihet kundër padrejtësive ndaj luftëtarëve të UÇK-së

Protestë në Hagë më 14 Shtator: Mërgata nga Belgjika ngrihet kundër padrejtësive ndaj luftëtarëve të UÇK-së

Një protestë e madhe është paralajmëruar të mbahet në qytetin e Hagës më 14 Shtator 2025, duke filluar nga ora 14:00, në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive të vazhdueshme ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), shkruan TV Arbëria.

Organizatorët e protestës i kanë bërë thirrje gjithë bashkatdhetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Belgjikë, që të marrin pjesë masivisht për të mbrojtur të vërtetën e luftës çlirimtare, dinjitetin dhe sakrificën për liri.

“Ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë, sot po gjykohen padrejtësisht! Ju ftoj të bashkohemi për të vërtetën, për lirinë dhe për dinjitetin e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në njoftimin e Fatlum Llugani në facebook.

Nga Roeselare, Belgjikë, do të organizohen katër autobusë për të mundësuar pjesëmarrjen e mërgimtarëve në këtë ngjarje. Ky organizim është duke u bërë nën përkujdesjen e Fatlum Lluganit dhe Muhamet Hetemit, të cilët kanë marrë përsipër koordinimin logjistik të udhëtimit.

Protesta pritet të mbledhë shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, në një përpjekje për të ngritur zërin kundër asaj që organizatorët e quajnë gjykim politik e të njëanshëm ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Kujtojmë se më 7 gusht të këtij viti në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me aktakuza në Dhomat e Specializuara në Hagë.