Shkruan: Antigona Selimi
Në Hagë nisi një nga fazat më të ndjeshme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Procesi i gjatë e i lodhshëm, i mbuluar nga tensioni politik, historik dhe emocional, po hyn në një kapitull vendimtar. Dhe teksa mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur përkrahje ndaj atyre që për shumëkënd janë sinonim i lirisë, në Kosovë, mbase më shumë se kudo, u bë e dukshme një ndarje që, megjithëse jo e re, u pa me sy më të kthjellët: ndarja mes atyre që lirinë e shohin si një obligim moral për ta mbrojtur çdo ditë, dhe atyre që e përdorin atë si referencë sezonale, sipas interesit politik dhe kalendarit elektoral.
Reagimet
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu: “Sot nis një kapitull i ri për UÇK-në në Hagë! E vërteta do të ndriçojë dhe do të turpërohen ata që hodhën baltë mbi të shenjtën UÇK!”
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, vazhdoi në të njëjtën linjë, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare dhe se dëshmitë në Hagë do të jenë përballja më e mirë me propagandën serbo-ruse.
Agim Aliu, kryetar i Ferizajt dhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme, nuk kurseu fjalët në mbështetje të çlirimtarëve:
“Edhe në Hagë, edhe në Prishtinë, kudo e kurdo, njëzëri i gjithë populli – Drejtësi për Çlirimtarët! Drejtësi për Kosovën!”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, edhe pse nuk ishte prezent në protestë, reagoi përmes një mesazhi që theksoi përkrahjen për të akuzuarit dhe vlerat e luftës çlirimtare.
“Me sy e me zemër sot në Hagë… Kosova nuk i harron bijtë e saj!”
Edhe Uran Ismaili, nënkryetar i partisë, zgjodhi një qasje të ngjashme – mungesë fizike, por përkrahje simbolike në rrjete sociale.
“Liria ka Emër. Çlirimtarët e Kosovës nuk janë vetëm!”
Në të njëjtën frymë, Ramush Haradinaj – njëri prej të paktëve që e njeh nga përvoja e drejtpërdrejtë HAGËN dhe drejtësinë ndërkombëtare – e tha shkurt dhe saktë:
“Drejtësi për çlirimtarët. Mirënjohje për ju të gjithë.”
Por, ndër të gjithë, ndoshta më i drejtpërdrejti ishte Fatmir Limaj. Jo vetëm që foli, por edhe veproi. Ai ndaloi aktivitetet zgjedhore të partisë së tij, Nisma Socialdemokrate, në shenjë solidariteti me protestuesit dhe me të akuzuarit:
“Unë jam me ta, pa asnjë rezervë… Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuza të padrejta që duan të njollosin sakrificën.”
Kur dikush vepron përtej fjalëve, është e pamundur të mos e vëresh dallimin.
Pozita: Kur heshtja është qëndrim
Në gjithë këtë mobilizim moral dhe politik, pozita – si trup politik dhe si qeveri – zgjodhi një qasje krejt tjetër: heshtjen.
Asnjë përfaqësues i saj nuk ishte prezent në protestë. Asnjë deklaratë publike. Asnjë qëndrim përmes rrjeteve sociale. Asgjë. Dhe kur bëhet fjalë për një proces gjyqësor që përfshin njerëzit që për një pjesë të madhe të popullit janë themeluesit e shtetit, një heshtje e tillë nuk është vetëm mungesë qëndrimi – është qëndrim vetë.
Në rrethana të tjera, mund të thuhet se heshtja është maturi. Apo neutralitet institucional. Por kur një qeveri e një vendi nuk gjen kohë as për një fjali për njerëz që dikur mbajtën pushkën për të sjellë lirinë që ajo gëzon sot – kjo nuk është as neutralitet, as pjekuri. Është harresë me vetëdije. Apo, në formën më të butë – kujtesë selektive.
Dhe në Kosovë, kujtesa selektive është bërë sport kombëtar.
Drejtësia në Hagë dhe e vërteta në Prishtinë
Sipas njoftimeve zyrtare, Paneli i Gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor të përfundojë rasti i mbrojtjes për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.
Mbrojtja pritet të dorëzojë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor.
Ndërkohë, vetëm mbrojtja e Thaçit ka kërkuar 35.5 orë për dëshmitë e saj.
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, një gjë është e qartë: e vërteta për luftën çlirimtare nuk mund të shkruhet vetëm nëpërmjet aktakuzave apo dosjeve gjyqësore. Ajo është pjesë e ndërgjegjes kolektive, e kujtesës kombëtare, dhe e përgjegjësisë politike e morale që duhet të jetë e përbashkët – për të majtën, për të djathtën, për qeverinë dhe për opozitën.
Historia nuk shkruhet vetëm nga gjykatat. Por, për hir të drejtësisë, ajo nuk duhet të shkruhet as nga ata që heshtin, kur është më së shumti koha për të folur. /TV Arbëria