Shkruan: Afrim Kasolli
Në ora 12 sot është paraparë të mbahet edhe një protestë tjetër qytetare më motiv kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike. Një e tillë me “moton asnjë cent më shumë” ishte mbajtur edhe të shtunën e kaluar.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë po pretendon se rritja çmimit të energjisë për 15 për është bërë e domosdoshme, për shkak të luhatjes në bursat ndërkombëtare që kanë përjetuar çmimet në këtë sektor. Duke qenë se Kosova varet në masë të madhe nga importi, atëherë ajo nuk ka rrugë tjetër, pos t’i nënshtrohet presioneve të tilla.
Madje anëtarët e të njëjtit bord janë arsyetuar, se megjithatë Kosova i ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon. Këto pohime konfirmohen edhe nga Eurostati. Aktualisht vetëm Gjeorgjia dhe Republika e Turqisë kanë çmime me të lira.
Mirëpo, ky pretendim i ZRRE është cinik. Sepse në raste të tilla nuk mjafton të përdoret vetëm vlera nominale e çmimit për produktin në fjalë, por edhe në çfarë raporte qëndron me fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës. Kurse, njohës të tjerë të tregjeve energjetike, kanë pohuar se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, aktualisht çmimet e këtij produkti në bursat ndërkombëtare janë më të ulëtat. Duke e shtua edhe me shumë dyshimin se në vend të kushtëzimeve të jashtme, me këtë rast më shumë po bëhet fjalë për apetite të kompanive sikur KEDS për të siguruar superfitime financiare mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës, jeta e të cilëve po rëndohet dita ditës nga presionet ekonomike dhe sociale.
Ndërkaq, deri më tani Qeveria e Kosovës, me një gjuhë të akullt teknokratike është maskuar prapa pavarësisë së trupave si ZRRE. Thuajse, këto të fundit nuk janë shprehje e konfiguracioneve të brendshme të pushtetit, apo anëtarët e tij të ishin jashtëtokësor. Tashmë shihet qartë se për pushtetin në Kosovë, më të rëndësishme janë përfitimet ekonomike të kompanive ndërkombëtare, se sa mbrojtja e qytetarëve të Kosovës nga presionet e këtyre të fundit.
Fatkeqësisht, indiferente ndaj paralajmërimeve për këtë rritje janë dëshmuar edhe partitë opozitare. Është e vërtetë se disa eksponentë të tyre kanë shprehur kritika virtuale në rrjetet e tyre sociale, por asnjëra nga to nuk ka prodhuar aksion politik. Një dëshmi kjo, se edhe këto të fundit operojnë brenda së njëjtës koniunkturë të makro-pushtetit financiar.
Në këtë kontekst, si prortesta e sotme ashtu edhe ajo e kaluara, përpos që është manifestim i zemërimit publik lidhur me kundërshtimin imediat të shtrenjtimit të rrymës, për shkak të efeteve fatale ekonomike dhe sociale që mund të ketë mbi shoqërinë tonë, ajo gradualisht po shndërrohet në medium të rizbulimit spontan politik TV qytetarëve të Kosovës. Dhe ndër arsyet kryesore që është duke e ushqyer këtë revoltë, ka të bëjë edhe me faktin, se pikërisht gjatë fushatës elektorale kur mediat i zbuluan planet e errëta të ZRRE dhe pushtetit për këtë rritje, të dy palët patën reaguar me ofendime dhe etiketime, duke i cilësuar këto raportime si shpifje dhe pjesë e planeve të luftës hibride. Prandaj, këtë mashtrim tinëzar sot qytetarët e Kosovës janë duke e konsideruar si tradhti pas shpine.
Me këtë rast, të njëjtit gradualisht po e marrin fatin kolektiv në duart e tyre, si dhe po shndërrohen në agjendë të veprimit politik jashtë kornizave partiake. Ngase këto te fundit tashmë janë transformuar vetëm në struktura klienteliste e që po përkujdesen vetëm për militantët e tyre, si dhe të shkëputura nga realiteti politik i vendit. /TV Arbëria