Dje në disa qytete të Serbisë, është vazhduar seria e tubimeve protestuese kundër Rio Tinto, njoftoi Arkivi i Tubimeve Publike atje.
Arkivi i Tubimeve Publike ka publikuar, bazuar në të dhënat e tij, një vlerësim të pjesëmarrjes sipas qyteteve, ku numri në kllapa tregon ekuivalentin e pjesëmarrjes në Beograd, në përpjesëtim me numrin e banorëve:
Arandjelovac: 1.500 (91.000)
Barajevo: 260 (39.000)
Kraljevo: 2.700 (61.000)
Ljig: 400 (179.000)
Shabac: 7.000-7.500 (190.000-203.000)
Me më shumë se 7.000 pjesëmarrës, tubimi protestues në Shabac është bërë tubimi më i madh politik në Serbi këtë vit, më i madh edhe se Kuvendi Mbarëserb nga qershori, theksojnë nga Arkivi i Tubimeve Publike.
Sipas njoftimit, litiumi është një motiv më i fortë për të dalë në rrugë sesa vjedhjet zgjedhore, dhuna dhe temat e presidentit për Kosovën.
Pas tubimit rekord në Bogatić, të mbajtur një ditë më parë, kjo ishte një demonstrim tjetër i refuzimit plebishitar të idesë për minierat e litiumit nga popullata e Macvës, thonë nga kjo organizatë.
Ata veçanërisht theksojnë se, në krahasim me numrin e banorëve në vendet ku mbahen, nga 14 protestat e organizuara këtë verë kundër Rio Tinto, madje 10 prej tyre janë më masive se protestat më të mëdha të vitit të kaluar kundër dhunës në Beograd. Gjithashtu, pesë prej tyre janë më të mëdha, sipas madhësisë relative, edhe se protestat e 5 tetorit.
“Duke pasur parasysh se e gjithë kjo po ndodh gjatë vapave të verës, në një sezon që tradicionalisht konsiderohet si “i vdekur” për mbajtjen e protestave, është e qartë se minierat e litiumit janë motivi më i fortë për të dalë në rrugë që nga rivendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi, më i fortë se vjedhjet zgjedhore, dhuna dhe Kosova”, vlerësojnë nga Arkivi i Tubimeve Publike.