TV Arbëria, përmes një kronike të gjatë, ka sjellë detaje dhe deklarata të shumta nga protesta masive në Hagë, e cila dëshmoi se shqiptarët, kudo që ndodhen, mbështesin fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Dy mërgimtarë nga Franca thanë për TV Arbëria se nga Gjykata Speciale është duke u bërë një padrejtësi e madhe, dhe se presin lirimin sa më të shpejtë të krerëve të UÇK-së.
“Gjithçka është e padrejtë për çlirimtarët. Na dojmë drejtësi për çlirimtarët, dojmë lirimin e tyre patjetër. Janë padrejtësisht në burg duke nejt.”
“Fatkeqësisht është duke u ba një padrejtësi e madhe, megjithëse ata janë themelues të Gjykatës Speciale për drejtësi. Për ata jemi të revoltuar, protesta bëjmë sa herë ka nevojë, këtu pranë tyre.”
“Nuk pritojnë shqiptarët për çlirimtarët,”, shtoi tutje mërgimtari.
Deliu: Presim lirimin e krerëve të UÇK-së
Në protestë ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Berta Deliu, e cila për TV Arbëria deklaroi se Gjykata Speciale ka marrë krejtësisht një kahje tjetër nga qëllimi i saj.
“Ky proces ka nisur për diçka tjetër, e në fakt është shndërruar në një proces që dallon nga fillimi i tij. Ne presim që epilogu të jetë në mbështetje të krerëve në Hagë. Edhe sot, ky mobilizim, ky masivitet, flet për rëndësinë e një procesi jetik që lidhet me vlerën tonë sublime që është UÇK-ja,” – tha Deliu.
Veterani i UÇK-së në protestën në Hagë: Protestoj për lirimin e vëllezërve tanë
Edhe veteranë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të pranishëm në protestë. Njëri prej tyre tha për TV Arbëria:
“Kom ardh në protest për lirimin e vëllezërve tonë.”
Mërgimtarët nga Prekazi në Hagë: Kjo është më e pakta që mundemi me ba – ata kanë ba shumë për neve
Një familje nga Prekazi, e cila kishte udhëtuar nga Gjermania për të marrë pjesë në protestën në Hagë, tha për TV Arbëria se ky rrugëtim është më e pakta që munden me ba për çlirimtarët:
“Kjo është më e pakta që mundemi me ba. Ata kanë ba për neve shumë. U desht secili shqiptar me qenë këtu.”
Hysni Gucati: Ata njerëz që janë në burg nuk janë të vetëm – i kanë shqiptarët pas vetes
Gruaja e Nait Hasanit, Fatmire Hasani: Drejtësia duhet të triumfojë
Gruaja e Nait Hasanit, Fatmire Hasani, u kaplua nga emocionet gjatë protestës në Hagë. Ajo tha për TV Arbëria:
“Kemi ardh prej Kosovës t’i tregojmë botës se drejtësia duhet të triumfojë. Të lirohen çlirimtarët, sepse për neve janë heronj.”