Kur shkoni për ndonjë operacion, duhet të bëni më parë analizat bazë dhe më pas mjekët mund të gjejnë diçka tjetër
Pak ditë më parë, bota u trondit kur Pallati Buckingham njoftoi se mbreti britanik Charles vuante nga kanceri.
Trashëgimtari i Mbretëreshës Elizabeth II po i nënshtrohej një operacioni rutinë për zmadhimin e prostatës dhe me atë rast ai u diagnostikua aksidentalisht me kancer, sipas njoftimit zyrtar.
“Kjo ndodh. Sa herë që shkoni për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, duhet të bëni paraprakisht analizat bazë, të cilat zakonisht përfshijnë analizën e gjakut dhe analizën e urinës, ndonjëherë edhe rëntgen të gjoksit. Më pas mjekët mund të gjejnë diçka tjetër”, shpjegon mjekja Tara Narula, konsulente mjekësore e portalit Today, përcjell Telegrafi.
Pasi u theksua se Mbreti nuk vuan nga kanceri i prostatës, shumë pyesnin se çfarë mund të kishin zbuluar rastësisht mjekët?
Dr. Justin R. Greg, specialist në urologji dhe onkologji, zbulon se një pacient me hiperplazi të prostatës, e cila ishte edhe diagnoza e Mbretit Charles, shpesh shkon për imazhe rutinë me një skaner ose rezonancë magnetike dhe duke imazhuar legenin ose barkun me përdorimin e këtyre metodave, për shembull, mund të zbulohen shenja të kancerit të fshikëzës dhe veshkave.
“Kanceri i fshikëzës urinare mund të zbulohet edhe me anë të një instrumenti që kalon përmes prostatës në fshikëz. Aty mund të shihen rritje që i ngjajnë lulelakrës ose kërpudhave, nëse ka kancer. Ndërsa kanceri i veshkave në fazat e hershme zakonisht nuk jep ndonjë simptomë të dukshme, ndërsa njerëzit me kancer të fshikëzës mund të kenë simptoma”, shpjegon eksperti.
Në raste të rralla, gjatë operacionit rutinë për zmadhimin e prostatës, mjekët mund të vërejnë edhe kancerin e zorrës së trashë, si dhe ekziston mundësia e zbulimit aksidental të limfomës, e cila shpesh zbulohet me imazherinë e kraharorit.
Është e rëndësishme të theksohet se asnjë nga format e përmendura të kancerit nuk lidhet ose shkaktohet nga prostata e zmadhuar.
“Kur zbulohet herët, shanset për të kuruar kancerin janë më të mëdha”, shton doktor Narula dhe kujton se kanceri i mbretit Charles u zbulua në fazën më të hershme.
Dr. Greg kujton edhe një herë rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta parandaluese dhe depistuese, si dhe se duhet të shkoni te mjeku nëse keni probleme me fshikëzën tuaj.