“Kryemjeshtri” është titulli i librit i promovuar sot në Bibliotekën Universitare të Kosovës kushtuar trajnerit më të mirë në botë në sportin e xhudos, Driton Kuka, me autor Arsim Maxherran.
Roli i trajnerit Kuka në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare u vlerësua lartë nga figura të shquara nga fusha e sportit dhe politikës në vend duke e cilësuar atë si udhëheqësin e sukseseve të njëpasnjëshme që Kosova i ka arritur me anë të sportit të xhudos.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se ky libër do të dëshmojë dhe do të shpërfaq rrugën e gjatë të përshkuar nga trajneri Driton Kuka deri te sukseset kulminante.
Ai tutje theksoi se sporti i xhudos do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të kësaj ministrie dhe të shtetit në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e sukseseve në këtë sport, formulën e të cilave Kuka duhet ta mbaj sekrete përballë shteteve të tjera.
Nga ana tjetër, presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, duke e falënderuar autorin për librin e botuar, tha se medaljet e shumta, në mesin e të cilave tri të arta olimpike dëshmojnë dhe vërtetojnë se puna e Tonit është e pakrahasueshme dhe e papërsëritshme në këtë sport.
Autori i librit Maxherra theksoi se megjithëse ka shumë më shumë për tu thënë për Driton Kukën, aty ka detaje që asnjëherë më parë nuk janë bërë publike.
Vet “kryemjeshtri”, Driton Kuka pasi pranoi kopjen e parë të librit tha para të pranishmëve se ndihet krenarë për punën dhe sukseset e arritura deri më tani, por që është i bindur gjithmonë se ka mundur dhe mund të bëhet edhe më shumë.
Ai tha se libri i promovuar sot do të mundësojë sukseset e arritura të mbeten si trashëgimi për brezat e rinj.
/TV Arbëria