Musa Sabedini, publicist, gazetar dhe profesor i fushës së mediave, sot promovoi librin e tij “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”. Sabedini shpjegoi kapitujt e librit, të cilin ia kushtoi etikës së gazetarisë profesionale, e cila ka ndikim të rëndësishëm në raportimin dhe hulumtimin gazetaresk.
Musa Sabedini, me një përvojë mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe hulumtuese, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si gazetar, duke shkruar qindra artikuj për jetën politike, arsimore, kulturore, informative dhe edukative.
Sabedini ka botuar librin e tij të parë në vitin 2003 “Vrasja e drejtësisë në Kosovë”. Ai ka shkruar tekste që i referohen profesionit të gazetarisë dhe rreziqeve të tij. Gjatë karrierës së tij, ka shkruar mijëra tekste, qindra artikuj hulumtues dhe komente për Ditën Botërore të Mediave. Vlerësimet dhe çmimet që ka marrë janë të shumta dhe lidhen me punën e tij profesionale dhe guximshme në gazetari.
Ky libër është dedikuar me një rëndësi të madhe studiuesve të mediave, studentëve të gazetarisë, gazetarëve hulumtues dhe redaktorëve profesionistë. Në promovimin e librit morën pjesë familjarë të autorit, miq, kolegë dhe personalitete të shquara nga fusha akademike dhe mediatike, përfshirë edhe profesorin dhe recensentin e librit, Dr. Safet Zejnullahu.
Recensenti i librit, Dr. Safet Zejnullahu, gjatë fjalimit të tij vlerësues, lavdëroi qasjen hulumtuese dhe kompetente të autorit, duke theksuar se libri ofron një alternativë të plotë për të kuptuar dhe zbatuar etiken në praktikat e përditshme gazetareske.
“Gazetaria e Kosovës është shumë e mirë, krahasuar me rrethanat në të cilat zhvillohet. Hulumtimet dhe librat si ky i kolegut Musa Sabedini ndihmojnë shumë që ajo të bëhet edhe më e mirë, edhe më profesionale” tha Zejnullahu.
“Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike. Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe media, është ilaç për një shoqëri të emancipuar” është mesazhi i librit të autorit. /TV Arbëria