Prokuroria Themelore në Prizren, organizoi të premten tryezë bashkëbisedimi me qëllim të bashkëbisedimit për kornizën ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Kjo u bë përkatësisht nga prokurorja Mehreme Hoxha me mbështetjen e OSBE-së, në kuadër të fushatës vetëdijësuese “16 ditë e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”.
“Në këtë tryezë pune, në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori Petrit Kryeziu, theksoi se rastet e dhunës në familje janë problem global, dhe as vendi ynë nuk është imun ndaj tyre, dhe se shteti duhet të jetë garantues dhe i gatshëm në luftimin e këtyre veprave penale”, shkruan në komunikatë.
Aty tutje thuhet se Kryeziu, theksoi se Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, duhet të jetë prioritet i organeve të drejtësisë si dhe i të gjitha institucioneve në vend.
Ai përmendi gjithashtu, sfidat me të cilat ballafaqohet prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të dhunës në familje.
Ndërsa, Daniel Lezo, përfaqësues i OSBE-së në Prizren, prezantoi të gjeturat e raportit të monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, nga montitorimi i OSBE-së.
“Në anën tjetër, prokurorja/koordinatore për rastet e dhunës në familje Mehreme Hoxha, theksoi faktin se rastet që kanë të bëjnë më dhunën në familje kanë prioritet në zgjidhjen e tyre, ku falë punës së mirë mekanizmit që mirren me trajtimin e këtyre rasteve është rritur edhe numri i raportimeve nga viktimat për këto vepra penale”, bëhet e ditur në kumtesë.
Ndërkaq, diskutimet e zhvilluara gjatë këtij takimi u fokusuan në zgjidhjen e problemeve të dhunës në familje, me theks të veçantë në trajtimin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor e që janë kryes të veprave penale të dhunës në familje, pastaj rastet e viktimave të ndjeshme, viktimat e përsëritura etj.
Gjithashtu, u potencua rëndësia e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë.