Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, të dyshuar për përfshirje në zjarrin që përfshiu diskotekën “Gate Club” në zonën industriale Prishtinë–Fushë-Kosovë, më 14 shkurt 2025.
Si pasojë e zjarrit, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material prej 969 mijë e 435 eurosh.
Ndërkaq, B.H., I.M. dhe RR.A. akuzohen për “Shtytje nga zjarrvënia”. Sipas prokurorisë, nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, ata dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që të kryejë vepër penale kundër pasurisë së S.S.
Sipas aktakuzës, motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja, pasi të pandehurit konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të S.S.
Personat e shtyrë, sipas prokurorisë, më pas i kanë vënë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S., duke shkaktuar dëm material prej 54 mijë e 892.72 eurosh.
Përveç këtyre veprave, F.S. akuzohet edhe për “Pengimin e të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Prokurori i çështjes ka propozuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, t’i shpallë fajtorë të pandehurit për veprat penale që u ngarkohen dhe t’i dënojë sipas legjislacionit në fuqi.
Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.