Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bën të ditur se, janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur nga Arlinda Zekaj.
Sipas tij, viktima kishte pretenduar në një parashtresë se një zinxhir zyrtarësh e kishin neglizhuar rastin e saj.
Nikçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se parashtresa ishte pranuar nga kryeprokurorja. Në paragrafin e parë, Zekaj kishte ngritur pretendime për neglizhencë institucionale, për të cilat, sipas tij, janë iniciuar hetime.
Duke folur për pjesën tjetër të parashtresës, ai ka thënë se viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës. Sipas Nikçit, vendimi gjyqësor përfshinte edhe urdhrin që bashkëshorti të mos i afrohej brenda distancës prej 2 metrash.
Ai ka deklaruar se vendimi ishte ekzekutuar të enjten, në praninë e policisë, ndërsa disa orë më vonë kishte ndodhur një konflikt.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, viktimës i ishte kërkuar të mos shkonte në atë shtëpi, pasi mund t’i rrezikohej siguria.