Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Prokurori i Specializuar në detyrë kërkon që vendimi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt të mbetet në fuqi

Prokurori i Specializuar në detyrë kërkon që vendimi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt të mbetet në fuqi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon seanca e Apelit me parashtrimet e prokurorisë në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting ka kërkuar nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues meqë, sipas tij, nuk ka ndonjë dyshim se ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë kryer krimet për të cilat janë akuzuar.

Ai ka kundërshtuar parashtrimet e mbrojtjes e cila ka pretenduar se të akuzuarit janë përballur me një proces të padrejtë gjykimi.

Whiting: Nuk ka asnjë pikëpyetje që Gucati dhe Haradinaj kanë kryer krimet për të cilat janë akuzuar

“Të akuzuarit pretendojnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore, asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës, nuk ka asnjë pikëpyetje që të akuzuarit kanë kryer krimet për të cilat ata janë akuzuar dhe që kanë pasur mundësi të plotë që të kundërshtojnë çështjen e paraqitur nga prokuroria. Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësor tërësisht të drejtë dhe dënimi dhënë për ta ka qenë i drejtë… Ne parashtrojmë se kjo çështje ka treguar që kjo gjykatë ka realizuar një proces ligjor të drejtë plotësisht mbrojtës të së drejtave të të akuzuarve dhe të shpejtë, mbi këtë bazë të nderuar gjykatës ne ju kërkojmë të lini në fuqi dënimet e dhëna nga trupi gjykues”, ka thënë ai.

Whiting ka thënë se trupi gjykues ka konstatuar që prokuroria ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm çdo element që lidhet me pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës.

Prokurori i Specializuar në detyrë është kundërshtuar nga mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees, lidhur me materialet që kanë të bëjnë me pretendimin e mbrojtjes për shtytje në kryerjen e veprës penale.

Rees: Prokuroria po e çorienton gjykatën dhe ata që po e përcjellin këtë proces gjyqësor

“Zoti Whiting sapo e çorientoi gjykatën dhe ata që dëgjojnë këtë proces gjyqësor kur tha që të akuzuarit kanë marrë të gjitha dokumentet të cilat lidhen me pretendimin që ka të bëjë me shtytjen në kryerjen e veprës penale, në fakt nuk është kështu, dokumentet të cilat kanë të bëjnë me këtë pretendim të mbrojtjes nuk janë marrë gjatë procesit gjyqësor, kemi marrë dokumentet pas procesit gjyqësor”, ka thënë Rees.

Por sipas prokurorit, nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes që ka pasur shtytje të të akuzuarve për kryerjen e veprës penale.

Whiting: Të akuzuarit kanë synuar minimin e punës së gjykatës si dhe frikësimin e dëshmitarëve

“Nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes që ka pasur shtytje të të akuzuarve për kryerjen e veprës penale sepse së pari nuk kishte përfshirje të nëpunësve të zbatimit të ligjit dhe së dyti nuk ka pasur detyrim për kryerjen e krimit. Nëse paneli i Apelit pra arrin në përfundimin se nuk ka detyrim siç ka bërë turpi gjykues, atëherë këtu i vjen fundi i çështjes dhe nuk ka nevojë të bëhen kërkesa të tjera, pra provat tregojnë që nuk ka pasur detyrim, nuk ka pasur shtytje për kryerjen e veprës penale dhe për pasoja nuk ka arsye që të vinin në Apel. Mbrojtja pretendon që të akuzuarit po kërkonin që të tregonin që prokuroria ka bashkëpunuar me Serbinë, kjo është e rreme, sjellja e deklaratave të të akuzuarve tregojnë padyshim që objektivi i tyre ishte të minonte punën e këtij institucioni dhe të shkaktonin kolapsimin e saj, dhe jo vetëm kaq por të frikësonin dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm, dhe kjo në vetvete si pistë e mbrojtjes dështon tërësisht”, ka thënë Whiting.

Seanca e Apelit në Hagë po vazhdon me parashtrimet e prokurorisë ndërsa në seancën e djeshme, mbrojtja ka kërkuar nga Apeli që Gucati të lirohet nga akuzat apo çështja të kthehet në rigjykim, në të kundërtën sipas tij, duhet t’i ulet dënimi.

Gjithashtu për Nasim Haradinajn, mbrojtja ka kërkuar t’i ulet dënimi nëse nuk shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas tij, trupi gjykues ka bërë gabim faktit duke vendosur një dënim të lartë për çka ka sjell në vëmendje rastet e ngjashme në tribunale të tjera ndërkombëtare duke theksuar se dënimet kanë qenë më të ulëta.

Ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj është shqiptuar aktgjykim fajësie në maj të këtij viti ku dy ish-krerët e OVL-UÇK janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për pengim të personave zyrtarë nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

/TV Arbëria

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Powered by WordPress