Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka prezantuar projektin e tij për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Rama ka shkruar se projekti parasheh më shumë gjelbërim e hapësirë publike për qytetarët, transmeton lajmi.net.
“Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do t’i mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit”, ka shkruar ai.
Tutje Rama ka thënë se pjesa e Katedrales e cila është e rrethuar me mur, të hapet për qytetarë.
“Bulevardi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një mur të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët”, ka shkruar ai.