Komuna e Malishevës njofton se projekti i sheshit dhe parkingut nëntokësor, që po realizohet në qendër të qytetit, ka arritur në fazën e fundit të punimeve.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me nënkryetarin Vesel Krasniqi dhe drejtorët komunalë, vizituan sot terrenin për të parë nga afër ecurinë e punimeve në këtë projekt madhor.
Ky projekt, i cili është më i madhi dhe më i rëndësishmi në vitet e fundit për zhvillimin e Malishevës, është duke i dhënë qytetit një pamje moderne dhe tërheqëse. Ai është mirëpritur me entuziazëm nga qytetarët dhe bizneset, të cilët po përfitojnë nga ky zhvillim i rëndësishëm.
Kryetari Kastrati ka kërkuar që punimet të vazhdojnë me intensitet të shtuar, në mënyrë që nënkalimet të lirohen sa më shpejt për qarkullimin e automjeteve dhe qytetarët të kenë mundësi të lehtë për të marrë shërbimet e nevojshme në këtë zonë. Ky projekt është një hap i madh për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një Malisheve më urbane dhe më të zhvilluar. /TV Arbëria