Të hënën, Kuvendit të Kosovës do t’i shkojë për miratim projekt-buxheti për vitin 2025. Ky buxhet kap vlerën e 3 miliardë e 608 milionë eurove.
Kryeministri Albin Kurti në prezantimin e këtij buxheti tha se ky është “buxheti i katërt për këtë mandat, por i pari për mandatin që na pret”.
Por, çfarë parashihet saktësisht me këtë buxhet e për cilat projekte do të shkojnë mjetet? Gazeta Express ka siguruar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025 dhe ju sjell një përmbledhje të projekteve të reja e atyre që janë bartur nga vitet e kaluara.
Nga ky buxhet, 916 milionë e 491 mijë e 655 euro do të shkojnë për paga dhe shtesa, 501 milionë e 197 mijë e 690 euro për mallra dhe shërbime, 34 milionë e 757 mijë e 297 euro për shpenzime komunale, 1 miliard e 155 milionë e 722 mijë e 721 euro për subvencione dhe transfere, 930 milionë e 307 mijë e 989 euro për investime kapitale, 7 milionë e 524 mijë e 695 euro janë rezerva, derisa interesi është 49 milionë e 506 mijë e 741 euro.
Shumica e investimeve kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024, janë projekte të bartura nga vitet paraprake.
Tek rehabilitimi i rrugëve, shumica janë rrugë që kanë nisur që kanë nisur vite më parë, madje edhe nga viti 2016. Për disa nga këto projekte, vetëm janë bartur mjetet nga viti 2024.
Por, ka edhe disa projekte të reja për rehabilitim të rrugëve.
1 milion euro janë paraparë për rehabilitimin e rrugës Rajonale R119, segmenti Kijevë-Malishevë. Punimet për këtë rrugë parashihet të fillojnë në prill të vitit 2025, e të përfundojnë në dhjetor të vitit 2027. Kostoja totale e këtij projekti është vlerësuar 3 milionë e 500 mijë euro, ku në vitin 2026 janë paraparë të ndahen edhe 1 milion euro, e në 2027’ën 1 milion e 500 mijë.
1 milion euro tjera janë ndarë për rehabilitimin e rrugës Rajonale R 106, segmenti Radavc-Kufiri me Malin e Zi. Edhe këtu afati kohor për nisje dhe përfundim të punimeve është i njëjtë, pra prill 2025-dhjetor 2027. Edhe ky projekt, ka kosto 3 milionë e 500 mijë euro, e që mjetet tjera do të ndahen në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht 1 milion dhe 1 milion e 500 mijë euro.
Rehabilitimit do t’i nënshtrohet edhe rruga Rajonale R 120, segmenti Sllatinë-Magure, projekt për të cilin janë ndarë poashtu 1 milion euro. Vlera e këtij projekti është 3 milionë euro, e pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2027.
600 mijë euro tjera janë ndarë për rehabilitimin e një rruge tjetër rajonale, R – 105 Skënderaj-Turiqevc- Jashanicë, me gjatësi 18 kilometra. Punimet në këtë rrugë pritet të përfundojnë në nëntor të 2027, derisa kostoja totale e projektit është 2 milionë e 400 mijë euro.
Do të rehabilitohet edhe rruga Nacionale N 25.3, kryqëzimi Sojevë-Kllokot-Viti. Për këtë projekt, janë ndarë 1 milion euro nga kostoja totale prej 4 milionë e 500 mijë euro. Për rehabilitimin e kësaj rruge, 1 milion euro të tjera janë paraparë për vitin 2026, e 2 milionë e 500 mijë euro në vitin 2027.
3 milionë euro tjera për rehabilitimin e rrugëve tjera nacionale, që në total si projekt kap vlerën e 12 milionë eurove. Për këtë projekt, 4 milionë euro tjera janë vlerësuar për vitin 2026 dhe 5 milionë për vitin 2027.
Tek ndarjet për vitin 2025, janë edhe disa projekte për ndërtimin dhe asfaltimin e disa rrugëve. Mjetet e ndara për këto rrugë janë nga 100 mijë deri në 300 mijë euro. Këto rrugë do të ndërtohen e asfaltohen në Pejë, Gjilan, Kamenicë, Shtime, Gjakovë, Suharekë dhe Drenas.
Për autostradat, janë bartur mjetet e vitit 2024. Tek ndërtimi i autostradave, përmendet ajo Prishtinë-Gjilan-Konçul, ku janë bartur 20 milionë nga viti 2024. Për këtë rrugë, 30 milionë euro janë vlerësuar për vitin 2026 dhe 30 milionë tjera për vitin 2027. Ky projekt figuron se do të përfundojë në dhjetor të vitit 2027.
Aty përmendet edhe rishtresimi dhe sanimi i pjerrtësirave të Autostradës Morinë-Merdare, ku janë bartur 1.5 milionë euro nga ky vit.
Edhe për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Magjistrale Prishtinë-Pejë, janë bartur mjete në vlerë prej 15 milionë euro. Për këtë projekt, 18 milionë janë vlerësuar për vitin 2026, e 20 milionë tjera për vitin 2027. Kostoja totale për këtë rrugë kap vlerën e 181 milionë e 722 mijë e 932 euro dhe si afat për përfundim është tetori i vitit 2027.
Ndërkohë, për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, projekt i nisur nga viti 2010, janë bartur mbi 6 milionë nga viti 2023. Vlera totale e këtij projekti llogaritet të jetë 11 milionë e 650 mijë euro.
Tek projektet kapitale të nivelit qendror, figurojnë edhe disa investime nëpër parqet kombëtare.
15 mijë euro do të shkojnë për blerjen e dronëe për parqet kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, si dhe 150 mijë euro tjera janë ndarë për ndërtimin e qendrave informuese për këto dy parqe kombëtare.
10 mijë euro tjera janë paraparë për blerjen e pajisjes për matjen e temperaturës, lagështisë dhe parametrave të tjerë për Shpellën e Gadimes, 30 mijë për blerjen e pajisjeve për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe 100 mijë euro për blerje të pajisjeve të reja për laboratorët e monitorimit të mjedisit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.
Tek investimet në sport, shumica janë projekte të bartura nga ky vit, e ku përfshihen renovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, ndërtimi i fushave të tenisit në komuna të ndryshme, palestra sportive në Zhegër, renovimi i stadiumit të qytetit në Gjilan, ndërtimi i stadiumit të qytetit në Pejë e Kaçanik, ndërtimi i Qendës Nacionale të Xhudos në Pejë, renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjakovë etj. Për këto projekte, vetëm janë bartur mjetet nga viti 2024.
Investim i ri për vitin 2025 është ndërtimi i Pishinës gjysëm-olimpike në Podujevë, për të cilin projekt janë paraparë 1 milion euro. Në total, ky projekt vlerësohet 3 milionë e 500 mijë euro. Ky projekt pritet të fillojë në janar 2025, e të përfundojë në dhjetor 2027. Mjetet tjera janë vlerësuar për vitin 2026 dhe 2027.
Investime tjera janë paraparë edhe për Stadiumin në Drenas, për çka janë ndarë 500 mijë euro, Qendrën Akuatike në Rajonin e Prishtinës ku për vitin 2025 janë paraparë 100 mijë euro dhe pjesën e automobilizmit në rajonin e Prishtinës, për të cilin projekt janë ndarë 50 mijë euro.
500 mijë euro tjera janë ndarë për Stadiumin e qytetit në Vushtrri, e 600 mijë tjera janë ndarë sa për nisjen e ndërtimit të komplekseve multisportive në Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Prishtinë, Gjakovë e Prizren, meqë kostoja e këtij projekti si tërësi është mbi 6 milionë euro.
Në fushën e kulturës, si projekte të reja janë paraprë ndërtimi i Qendrës Kulturore Turke në Prizren, ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skënderaj, Muzeu i masakrës në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, Muzeu i Sefë Mleqanit në Malishevë, restaurimi i Xhamisë së Hadumit në Gjakovë, shkolla e vjetër në Kokaj të Gjilanit etj.
Tek pjesa për Policinë e Kosovës, janë vetëm disa projekte që tashmë kanë filluar, e për të cilat janë bartur mjetet nga viti 2024. 3 milionë e 700 mijë euro janë bartur për automjete të blinduara dhe automjete të veçanta, 2 milionë e 800 mijë për armë dhe pajisje speciale dhe mbi 2 milionë për pajisje të TIK’ut, Softuere dhe siguri të të dhënave.
3 milionë e 250 mijë euro të tjera janë mjete të bartura për ndërtime dhe renovime, 800 mijë për pajisje dhe armë për kontroll dhe siguri kufitare, 1 milion e 300 mijë euro të tjera për një projekt konfidencial, 3 milion e 450 mijë për automjete transporti dhe 3 milion e 707 mijë për pajisje policore.
Në këtë projekt-buxhet nuk janë paraparë mjete për Projektin “Blinaja”, Kompleksin e ri Qeveritar apo ndërtimin e Ndërtesës për Zyrën e Presidencës. Mjete s’janë ndarë as për renovimin e objekteve qeveritare, apo ndërtimin e ndërtesave përcjellëse të ndërtesës së AKI’së. Për këto projekte, ka vetëm bartje të mjeteve nga viti 2024.
Tek projektet kapitale për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka vetëm bartje të mjeteve, ku disa janë për Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas rekomandimeve të Danimarkës.
Janë bartur edhe mjetet për zgjerimin e Institutit të Forenzikës, ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren dhe ndërtimin e Institucionit Korrektues për Femra në Lipjan.
Ndërkohë, janë ndarë mjete për investime në Institutin e Mjekësisë Ligjore. 50 mijë euro janë ndarë për furnizim me pajisje për Laboratorin e Toksikologjisë dhe 55 mijë të tjera për përmirësim të infrastrukturës së jashtme dhe ndriqimit përreth objektit të IML’së.
Në këtë projekt-buxhet janë bartur mjete nga viti 2024 ehde për blerjen e ambasadave, veturave për ambasada, renovim të objekteve të ambasadave, mobile për ambasada dhe pajisje teknologjike për këto ambasada.
Për blerjen e ambasadave, vlera totale e projektit figuron se është mbi 56 milionë euro, derisa për renovime mbi 6 milionë euro. Për veturat e ambasadave, vlera totale e projektit është rreth 5 miluonë euro, derisa për mobile mbi 1 milion e 300 mijë.
Mjetet janë bartur edhe tek investimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbi 76 milionë euro është shuma e bartur nga viti 2024 për sisteme, pajisje dhe artikuj për mbrojtje, gati 20 milionë euro të tjera për ndërtime dhe renovime dhe rreth 3 milionë për sisteme dhe pajisje të komunikimit.
Tek Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, 4 milionë e 270 mijë euro është shuma e mjeteve që është bartur nga viti 2023 për një projekt të paspecifikuar, që ka filluar nga viti 2022 e është paraparë të përfundojë më dhjetor të këtij viti.
Për projektin e banimit social që kap kosto totale 9 milionë euro, janë bartur 2 milionë e 350 mijë nga ky vit.
Në fund të dokumentit, theksohet se shpenzimet buxhetore totale në vitin 2025 priten të kenë rritje prej 8.8% në terma vjetorë, në krahasim me Buxhetin për vitin 2024.
Aty theksohet edhe tek rritja e shpenzimeve në kategorinë paga dhe shteza, duke e përmendur si shkaktar rritjen e koeficientëve.
“Në rritjen e shpenzimeve buxhetore ndikimi më i madh është nga masat e ndërmarra nga Qeveria për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Shpenzimet Rrjedhëse totale gjatë vitit 2025 planifikohen të kenë rritje prej 9.1% krahasuar me Buxhetin për vitin 2024, duke arritur vlerën 2,615.7 milionë Euro. Shpenzimet për kategorinë paga dhe shtesa planifikohet të jenë 916.5 milionë Euro dhe të shënojnë rritje prej 13.8%, duke qëndruar brenda rregullës fiskale. Kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së koeficientëve. Shpenzimet te kategoria e mallrave dhe shërbimeve planifikohet të shënojnë rritje prej 3.3% krahasuar me Buxhetin për vitin 2024. Subvencionet dhe transferet gjatë vitit 2025 pritet të kenë rënie prej 8.8%. Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i rritjes së pensioneve si dhe shtesave të fëmijëve. Ndërsa 7.5 milionë Euro janë ndarë për kategorinë e rezervës rrjedhëse”, thuhet në projekt-buxhet.
Tutje thuhet se pjesa më e madhe e investimeve kapitale pritet të jetë nga financimi i buxhetit të rregullt, mirëpo një numër i madh i projekteve në sektorë të ndryshëm planifikohet të financohet nga huazimi i jashtëm përmes klauzolës së investimeve
Opozita thotë se s’do ta votojë
Projekt-buxheti për vitin 2025, do të shkojë për votim të hënën në Kuvend. Partitë opozitare në vend, PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka thënë se buxhetet e miratuara nga kjo qeveri nuk kanë lënë deri tash asnjë gjurmë.
“Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se ky buxhet nuk nuk përfshin masa specifike për zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike.
“Deputetët e LDK-së do të angazhohen aktivisht në diskutime për të analizuar strukturën e propozuar të shpenzimeve dhe për të vlerësuar ndikimin e buxhetit në shërbimet publike dhe mirëqenien e qytetarëve. Ne do të punojmë për të siguruar një planifikim më të drejtë dhe efikas të burimeve publike, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe duke adresuar nevojat kyçe të vendit”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky është buxhet i cili nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe se duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm.
“Sa i përket miratimit të këtij buxheti, theksova se nuk ka mundësi që ky ligj të përmirësohet më. Për t’u përmirësuar buxheti i vitit që po vjen, së paku duhet të bëhen 50 amandamentime, të cilat do të rregullonin cështje nga sistemi i pagave në sektorin publik deri te çështjet më minore.
Pra, ne nuk e votojmë këtë buxhet, për shkak se e shohim si një instrument që është letërnjoftimi i kësaj qeverie. E, letërnjoftimi i kësaj qeverie është se për katër vjet i kanë mbajtur pezull Ligjin e Pagave, koeficientin, vendosjen e vlerës së koeficientit në buxhet dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk e mbështesim këtë buxhet dhe nuk e votojmë dhe zotohemi se do ta rishikojmë në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Tahiri.