Shkruan: Afrim Kasolli
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data e zgjedhjeve, secila prej partive politike ndodhet në kulmin aktiviteteve të tyre për të joshur qytetarët me qëllim që ta maksimalizojnë sa më shumë mbështetjen publike. Që nga fillimi i fushatës e deri më sot, sidomos dy partitë kryesore opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, kryesisht i kanë fokusuar energjitë e tyre në planin ekonomik. Pra, ato kanë tentuar të shfaqen si adresa e duhur e shtimit të mirëqenies sociale. Ndërkohë, partia në pushtet përpos mburrjes me punën e saj në këtë mandat në këtë sferë, në masë të madhe, e ka mbajtur gjallë temën e veriut dhe shtrirjes së sovranitetit të shtetit në çdo cep të vendit e me premtime për ta ndjekur Vuciqin me hu përtej gardhit kufitar.
Tashmë janë të ditura disa nga zotimet kryesore të secilës prej partive politike se çka do të bënin ato për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Kosovës nëse do ta fitonin pushtetin. Lidhja Demokratike er Kosovës ka premtuar investime kapitale deri në 5 miliardë euro, rritje ekonomike prej 5 për qind, heqjen e TVSH-së për shportën bazë të konsumit dhe heqja e TVSH-së në energji elektrike, si dhe ndryshim të koeficientit të pagave, nga 110 euro në 150 euro. Kurse asnjë pension nuk do të jetë nën 150 euro.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar që bizneset që investojë deri në 500.000 euro apo që punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore. Po ashtu, kandidati për kryeministër i kësaj partie ka premtuar rritje të pagave në sektorin publik deri 50 për qind, 70 % në pensionet bazike, dhe 50% rritje të përfitimeve për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së. Ndërkohë, si masa stimuluese ekonomike janë përmendur ndryshimi i praktikës së deritanishme të pagesës të TVSH-së për mallrat e importuara në kufi.
Sidoqoftë secila prej premtimeve sikur ai për makro investime kapitale dhe ky për shtim të pagave në sektorin publik nuk krijojnë bazë për performancë më të mirë ekonomike. Madje, kjo e dyta mund të shndërrohet në stimulimi të pabarazive sociale dhe ekonomike ndërmjet atyre që janë të punësuar në sektorin publik dhe privat. E siç dihet ky i fundit është punëdhënësi kryesor dhe motori i zhvillimit ekonomik. Dhe përkundër sfidave sikur ato për thellimin e deficitit tregtar, Kosova po përballet dita ditës edhe me një presion tjetër të madh, atë mungesës së fuqisë punëtore. E tëra kjo për shkak të pasigurisë që dominon në tregun e punës në këtë sferë.
Dhe ky deficit nuk mund të zgjidhet më propagandë se tashmë Gjermania është në krizë prandaj edhe shumë të rinj po kthehen nga atje për në Kosovë, pasi kjo e fundit po lulëzon, por me adresim të drejtë të pasigurisë që dominon në tregun e punës në këtë sektor.
Në këtë kontekst, deri më tani, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza është i vetmi që e ka prekur problem nëpërmjet “Fondit e Papunësisë”. Pra sipas tij, nëse dikush, e “humb vendin e punës, që të mos jetë i detyruar të kalojë në asistencë sociale për 6 muaj do t’i jepen 80% e pagës së fundit të garantuar, deri sa të ristrukturohet apo të gjejë një vend të ri pune”.
Adresimi i kësaj mase është hapi i parë dhe i domosdoshëm, ndonëse jo i vetmi, për të krijuar premisa për stabilimzin e tregut të punës në sektorin privat, pa përmirësimin e të cilit nuk mund të këtë as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie sociale. Përndryshe me këtë trend siç e kanë dëshmuar të dhënat nga ambasada gjermane, Kosova shumë shpejt mund të shndërrohet vetëm në një destinacion turistik të mërgimtarëve tanë dhe po ashtu në shtet pensional./tvarbëria/