Profesoresha e Fakultetit të Filologjisë, Vjosa Sadriu-Hamiti, ka analizuar sloganet e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shpjeguar se çfarë duhet të përmbajë një slogan politik dhe si funksionon ai në planin diskursiv.
Sipas saj, slogani i Lëvizjes Vetëvendosje është më problematiku ndër të gjithë:
“Slogani i Lëvizjes Vetëvendosje ‘Siguri dhe begati. Mos lësho pe!’ është më problematiku. Në planin diskursiv, ai përzien premtime sociale (begati), rend institucional (siguri) dhe një thirrje rezistence politike (‘mos lësho pe’). Por pikërisht kjo thirrje e fundit e zhvendos sloganin nga gjuha e qeverisjes në gjuhën e mobilizimit permanent. ‘Mos lësho pe’ presupozon konflikt të vazhdueshëm, armiq të brendshëm ose të jashtëm dhe një gjendje të përhershme rreziku — një logjikë që vështirë pajtohet me idenë e stabilitetit dhe normalitetit demokratik. Në vend që të qetësojë elektoratin, slogani ushqen polarizimin dhe legjitimon diskursin e përplasjes”, ka shkruar Sadriu-Hamiti.
Ajo vlerëson se sloganet politike duhet të reflektojnë qartësi programore, stabilitet dhe besim, e jo të nxisin tensione apo ndarje të vazhdueshme në shoqëri.