Produktet e prodhuara në Kosovë shumë shpejt do të pajisen me barkoda ndërkombëtare, duke u mundësuar atyre prezencë dhe njohje më të gjerë në tregjet botërore.
Lajmin e ka bërë të ditur Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) përmes një postimi në Facebook, pas një takimi ndërmjet kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe kryetares së Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu.
Sipas njoftimit, falë bashkëpunimit të ngushtë me GS1 Turqinë, GS1 Kosova do të fillojë së shpejti lëshimin e barkodave ndërkombëtare për produktet kosovare. Ky hap shihet si një mundësi e madhe për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për GS1 Turqinë dhe znj. Elif Muftuoglu për bashkëpunimin e sinqertë dhe përkrahjen profesionale në këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit,” thuhet në njoftim.