Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Problemi i energjisë në Kosovë: urgjencë dhe emergjencë kombëtare

Problemi i energjisë në Kosovë: urgjencë dhe emergjencë kombëtare

Shkruan: Agron Hoti

 

Nuk ka kurrfarë rëndësie se kush i fiton zgjedhjet në Kosovë dhe sa i përqind i fiton, 50% apo edhe 100%. Këto janë shifra tërësisht të parëndësishme, nëse nuk zgjidhet çështja super-emergjente e energjisë. Pa energji, çdo shtet sot është vetëm një emër në hartë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se si bota po digjet për energji, se si luftërat po bëhen për energji, kontroll dhe fuqi. Lufta në Ukrainë filloi për shkak të energjisë, luftërat në Azi Qendrore, Lindje të Mesme, Afrikë Veriore, tensionet në Arktik, në Amerikë Latine, tensionet Kinë-SHBA dhe Rusi-SHBA që të gjitha po bëhen para se gjithash për energji.
Ndërkohë, Kosova që po fle mbi pasuri ndër më të mëdhatë të thëngjillit në Evropë, po zhytet çdo ditë e më shumë në errësirë, pasiguri dhe varfëri energjetike. Çdo kilovat energji që po e importojmë, po bëhet një prangë më shumë në këmbët edhe ashtu të lidhura të këtij vendi. Çdo dimër pa zgjidhje të problemit të energjisë, është një goditje tjetër për familjet kosovare.
Çdo faturë më e lartë është një arsye më shumë që një i ri ta mbledhë jetën në një valixhe dhe të ikën sa më shpejtë nga Kosova.
Mjerisht, në vetëm 4–5 vitet e fundit, çmimi i energjisë është rritur mbi 150%. Bashkë me të janë rritur edhe çmimet e bukës, qumështit, qirasë, barnave dhe çdo çmim tjetër. Dhe pasoja sigurisht që është tragjike, sepse në 4-5 vitet e fundit mbi 200 mijë të rinj e kanë braktisur Kosovën. Shtëpitë po mbesin thatë, shkollat po zbrazen, arsimtarët kanë ngelur me 2 apo 3 nxënës në klasë, fshatrat po vdesin ngadalë.
Prandaj, nëse nuk veprojmë sot, atëherë brenda 15–20 vjetësh Kosova rrezikon të ngelet pa rini, pa fuqi punëtore dhe pa kurrëfarë shprese për të ardhmen. Pra, Kosova po rrezikon të ngelet vetëm një territor me të moshuar, me drita që fiken dhe me ëndrra të shuara.
Energjia nuk është luks, por çështje ekzistenciale për të ardhmen e Kosovës dhe çdo vendi në glob. Kush nuk e kupton kështu këtë urgjencë dhe emergjencë kombëtare që është shndërruar në hemorragji që po i shkakton vendit shkarkim të tmerrshëm social, jo vetëm që është duke dështuar politikisht, por edhe është duke e tradhëtuar rëndë të ardhmen e këtij vendi.
Në vend që deri me tani ta kishim të rregulluar dhe pse jo harruar problemin e energjisë, ne vazhdojmë të derdhim qindra miliona euro në buxhetin e Serbisë dhe Rusisë.