Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Pritja për 17 shkurt, Kurti: Kosova do paqe me shtetet fqinje dhe të ndërtojë të ardhmen evropiane me ta

Pritja për 17 shkurt, Kurti: Kosova do paqe me shtetet fqinje dhe të ndërtojë të ardhmen evropiane me ta

Në pritjen të organizuar nga Qeveria e Kosovës për nder të 17 shkurtit, ka mbajtur fjalim edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kosova dëshiron të jetojë në paqe me vendet fqinje dhe bashkë me ta të ndërtojë një të ardhme evropiane.

“Sot Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran, demokratike me integritet territorial. Ajo kërkon të jetojë me paqe me shtetet fqinje dhe të ndërtojë bashkë me ta një të ardhme evropiane. Kosova është partner i shteteve demokratike të botës që ndihmuan shpalljen e pavarësisë së saj”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka folur edhe për të drejtat e njeriut në Kosovës, si dhe për lirinë e medias.

“Të drejtat e grave, të pakicave, të kategorive të tjera sociale, pavarësia e pushteteve dhe liria e medias respektohen e zbatohen në Kosovë, madje më shumë e më mirë sesa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e në disa raste edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti. /Gazeta Express