Shqipria pritet të përfshihet nga masa ajrore të ftohta dhe të paqëndrueshme ditën e nesërme (17 janar), ku, sipas meteorologëve, do kemi reshje të dendura shiu. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se situata më problematike parashikohet në 7 qarqe, përkatësisht në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, në zonën e Alpeve priten edhe stuhi dëbore.
“IGJEO dhe Shërbimi Meteorologjik parashikojnë përkeqësim të motit gjatë ditës së nesërme, veçanërisht pasdite. Situata më problematike parashikohet në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në zonën e Alpeve priten edhe stuhi dëbore”, shkruan Peleshi.
Ministri i bën thirrje bashkive që të rrisin gatishmërinë e strukturave të Mbrojtjes Civile, në mënyrë që situata të përballohet me sa më pak dëme.
“U bëjmë thirrje të gjitha bashkive që janë në hartën e riskut të rrisin gatishmërinë e strukturave të Mbrojtjes Civile”, thekson Peleshi.